Nënshkrimi i Memorandumit me komunat e Kosovës, Foto: KALLXO.com
Nënshkruhet memorandiumi për rindërtimin e 114 zonave kadastrale në 32 komuna të Kosovës
Është nënshkruar memorandiumi për rindërtimin e 114 zonave kadastrale në 32 komuna të Kosovës.
Ky memorandum është nënshkruar mes ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu; drejtorit të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Avni Ahmeti dhe kryetareve të komunave përkatëse.
Sipas ministrit Liburn Aliu, pas miratimit të Ligjit për kadastër janë hapur rrugë të rëndësishme edhe për rindërtimin e zonave kadastrale.
“Pas miratimit të Ligjit për kadastër dhe pas hartimit dhe nënshkrimit të një pako të udhëzimeve administrative janë hapur rrugë për rindërtimin e kadastrave për rregullimin e sistemit të adresave, ndërlidhjes së sistemit të adresave për qytetarët. Këto projekte janë jashtëzakonisht të rëndësishme për vendin dhe do të mund të realizohen në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet nivelit qendror, ministrisë, komunave, agjencisë kadastrale dhe drejtorive që lidhen me pronat” – tha ai.
Ai shtoi se do të ketë edhe takime të tjera me komunat për projektet e reja që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me funksionalizimin e sistemit të komunikimit brenda vendit, që lidhet edhe me pronat edhe sistemin e adresave.
Ndërsa drejtori i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Avni Ahmeti, thotë që ky projekt do të përfshijë rindërtimin e 114 zonave kadastrale në 32 komunat e Kosovës.
“Procesi i rindërtimit do të mundësojë rindërtimin e zonave kadastrale, matjen e objekteve dhe matjen e ndërtesave, matjen e parcelave, zyrtarizimin e transaksioneve joformale. Ky projekt në ato zona ku bëhet ndërtimi do të mundësojë qytetarëve për kryerjen e të gjitha transaksioneve pa pasur nevojë të shkojnë as në noteri për trajtim të trashëgimisë por as me bo një kontratë të veçantë” – tha ai.
Ai shtoi se në aspektin financiar do të kursehen mjete për qytetarë për 70 mijë objekte. Sipas tij nga ky projekt do të kursehen rreth 10 milionë euro.
“Për një objekt veç puna sezonike diku kushton rreth 150 euro dhe kur kemi bërë një kalkulim për 70 mijë objekte që kanë me u matë pa pare, ka me u përgatit dosja komplet, e njëjta ka me shku në Zyrën për legalizim janë rreth 10 milionë euro kursim”- shtoi Ahmeti
Ai ka treguar se në proces është edhe projekti për sistemin e adresave, ku do të vendosen rreth 320 mijë numra të shtëpive.