Nënshkruhet marrëveshje prej 15 milionë me BB për projektin emergjent pёr COVID-19

Ministri i Financave, Punёs dhe Transfereve Hekuran Murati dhe drejtoresha për Ballkanin Perëndimor e Bankës Botërore Linda Van Gelder, pas negocimit tё suksesshëm kanë nënshkruar marrëveshjen e financimit “Projekti Emergjent i Kosovës për COVID-19 – Financimi shtesë”.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Financave, qëllimi kryesor i marrëveshjes mbetet vazhdimësia e përgjigjes ndaj pandemisë përmes financimit për të mundësuar parandalimin, detektimin dhe reagimin ndaj COVID-19, si dhe për të ngritur kapacitetet e duhura në sistemet kombëtare të shëndetit publik.

Kjo marrëveshje kap vlerën totale prej 15 milionë euro dhe vjen si vazhdimësi e marrëveshjes bazё, tё nënshkruar me datë 29 qershor 2020 me Bankën Botërore, e cila veçse kishte siguruar 46 milionë euro për menaxhim dhe reagim emergjent ndaj pandemisë.

Projekti do të mundësojë prokurimin e vaksinave kundër COVID-19, vaksinimin efektiv të popullatës, përmirësimin e sistemit të imunizimit, zhvillimin e sistemit të menaxhimit të mbeturinave mjekësore, prokurimin emergjent të barnave esenciale për trajtim të COVID-19 dhe të ngjashmeve, si dhe zhvillimin e strategjisë shëndetësore.