Nënshkruhet marrëveshja për ndërtimin e një çerdheje në Skenderaj

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka njoftuar se ka nënshkruar marrëveshjen e mirëkuptimit me Ministrinë e Zhvillimit Rajonal për ndërtimin e çerdhes për fëmijë në mes të lagjeve 2 dhe 3 të qytetit të Skenderajt.

Ndërtimi i kësaj çerdheje do të financohet nga Komuna dhe nga Ministria e Zhvillimit Rajonal kurse procedurat për ndërtimin e saj do të fillojnë nga java e ardhshme, njofton kjo Komunë.

“Me ndërtimin e kësaj çerdhe dhe të asaj në lagjen 1 me financimin e Komisionit Evropian duke përfshirë edhe çerdhen ekzistuese “Nëna Zahide”, qyteti jonë do t’i këtë tri çerdhe dhe kështu fëmijët e qytetit tonë do të kenë vendin e duhur për edukimin dhe socializimin e tyre të mirëfilltë”, ka deklaruar Jashari në rrjetin social “Facebook”.