Nënshkruhet marrëveshja për mbështetjen financiare të manifestimit ‘Flaka e Janarit’

Ministria e Kulturës do të mbështesë me 20 mijë euro manifestimin tradicional “Flaka e Janarit” që mbahet çdo fillimvit në Komunën e Gjilanit.

Për këtë mbështetje, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Gjilanit kanë nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi për këtë manifesti. Kjo marrëveshje është  nënshkruar nga ministrja e MKRS-së, Vlora Dumoshi dhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.

Marrëveshja është nënshkruar gjatë një vizite që ka bërë sot në Gjilan e ministrja e MKRS-së Vlora Dumoshi me bashkëpunëtorë.

MKRS përmes një komunakte për media, ka bërë të ditur se Dumoshi dhe Haziri kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për festivalin tradicional “Flaka e Janarit”, në vlerë prej 20,000.00 eurove.

Sipas komunikatës, ministrja Dumoshi e ka vlerësuar si shumë të  rëndësishëm finalizimin e një memorandum për të përkrahur “Flakën e Janarit”.

“Ajo se  çfarë e bën edhe më të veçantë këtë nënshkrim është se se po bëhet më 2 korrik, kur kujtojmë të gjithë ata që kontribuuan për këtë ditë”, ka thënë ministrja Dumoshi, sipas komunikatës.

Ndërkaq kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, është shprehur se nënshkrimi i memorandumit për financimi i manifestimit “Flaka e Janarit”, tregon kujdesin institucional për këtë qytet.

“Ndihem i nderuar që pres për vizitë ministren Vlora Dumoshi dhe zv/ministren Valdete Bajrami, simbolika e kësaj dite është kontributi i heronjve të 2 korrikut. Ardhja e vet ministres tregon kujdesin institucional për qytetin tonë”, ka thënë Haziri, citon komunikata.

Gjatë takimit Dumoshi- Haziri është diskutua edhe për finalizimin e projekteve si Muzeu i qytetit, Galeria e qytetit si dhe plani për një fond të veçantë për përkrahjen e punësimit të  rinjve dhe mbështetjen e ndërmarrësve të rinj.

Më pas zyrtarët e dy institucioneve kanë  inspektuan edhe ecurinë e punimet në Stadiumin e Gjilanit,  ku investimet janë mbi 9 milionë euro.

Ky stadium sipas standardeve të UEFA-s i takon kategorisë së katërt.

Investimet tjera në Komunën e Gjilanit janë edhe Palestra sportive në Zhegër e cila kap vlerën e mbi 2 milionë euro, dy fusha të tenisit, me vlerë mbi 70,000.00 dhe investimet në Palestrën “Petrit Selishta”, me vlerë mbi 400,000.00 euro.