Foto: Ministria e Financave
Nënshkruhet marrëveshja për grantin 12.6 milionë euro për menaxhimin e mbeturinave në Prishtinë, Prizren dhe Gjilan
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar se sot, më 16.10.2024, është mbajtur ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes së grantit për menaxhimin e mbeturinave në Prishtinë, Prizren dhe Gjilan me vlerë 12.6 milionë euro, i financuar nga Bashkimi Europian dhe menaxhuar nga KfW.
Në ceremoninë e nënshkrimit ishin të pranishëm ministri i Financave, Hekuran Murati, drejtori i KfW për Europën Juglindore, Klaus Muller, drejori i Zyrës së KfW në Kosovë, Moritz Reme, udhëheqësi i Departamentit të Bashkëpunimit në Ambasadën gjermane në Kosovë, Daniel Alker, zëvendësudhëheqësi për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së, Alessandro Bianciardi si dhe kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë për Menaxhimin e Mbeturinave, Dardan Velija.
Sipas komunikatës, gjatë fjalës së tij hapëse ministri Murati vlerësoi rolin e këtij projekti në garantimin e infrastrukturës adekuate për menaxhimin e mbeturinave dhe theksoi se iniciativa të tilla ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët.
Ministri Murati përmendi se kjo marrëveshje vjen pas dy marrëveshjeve tashmë të ratifikuara, njëra me vlerë 19 milionë euro dhe tjetra me vlerë 1 milion euro nga KfW, me ç’rast falënderoi KfW dhe BE për bashkëpunimin e vazhdueshëm.
Ndërsa Klaus Muller gjithashtu theksoi rëndësinë e zhvillimit të infrastrukturës për menaxhimin e mbeturinave, si dhe gatishmërinë e KfW për ta mbështetur Qeverinë e Kosovës në këtë drejtim.
Ceremonia përfundoi me nënshkrimin e grantit, i cili do të zbatohet nga Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë.