Nënshkruhet marrëveshja për financimin e rrugës Prishtinë-Mitrovicë me vlerë 15 milionë euro

Sot më 29.07.2024 është nënshkruar marrëveshja për financim në vlerë prej 15 milionë euro për përfundimin e projektit të rrugës Prishtinë-Mitrovicë nga Fondi Saudit për Zhvillim dhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.

Ministri i Financave, Hekuran Murati tha së me nënshkrimin e kësaj marrëveshje përmbyllet edhe pjesa e mbetur e financimit të projektit për ndërtimin e rrugës Prishtinë – Mitrovicë

Ministri Murati, gjithashtu foli edhe për përkushtimin e Qeverisë për të thelluar marrëdhëniet me Mbretërinë e Arabisë Saudite drejt investimeve në sektorin e infrastrukturës dhe sektorë të tjerë me rëndësi për zhvillimin ekonomik të vendit, siç është bërë e ditur përmes njoftimit të Ministrisë së Financave në rrjetin social Facebook.

Në këtë ceremoni i pranishëm ishte edhe Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili njoftoi se kjo kredi në vlerë prej 15 milionë euro do të shfrytëzohet për ndërtimin e segmentit që shtrihet nga Smerkonica deri në Mitrovicë, gjatësi kjo prej 5km.

“Projekti për ndërtimin e rrugës Prishtinë – Mitrovicë konsiderohet si një ndër projektet me të rëndësishme  infrastrukturore të vendit dhe është i pari projekt infrastrukturor në Kosovë që mbështetet nga Fondi Saudit për Zhvillim dhe se synohet që pas këtij projekti, partneriteti të thellohet edhe më tej”, – ka deklaruat Liburn Aliu.

Ndërsa, Drejtori ekzekutiv i Fondit Saudit për Zhvillim , Sultan A.Almarshad foli për bashkëpunimin e vazhdueshëm me Qeverinë e Kosovës duke theksuar se projekti për financimin e magjistrales “Prishtinë – Mitrovicë” parasheh zgjerimin dhe rehabilitimin e rrugës nacionale duke e zvogëluar kështu edhe trafikun.