Ilustrim

Nënshkruhet marrëveshja Kosovë-Serbi për linjë hekurudhore dhe autostrada

Në Mynih të Gjermanisë mëngjesin e sotëm është nënshkruar marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për linjën hekurudhore dhe për autostrada me ndërmjetësim të të dërguarit të posaçëm të Presidentit amerikan Donald Trump, Richard Grenell, për negociatat Prishtinë-Beograd.

Në takim kanë marrë pjesë edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, si dhe ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett.

Ndërkaq, marrëveshja është nënshkruar mes përfaqësuesve të të dyja vendeve, nga Kosova të emëruarit nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit dhe nga pala serbe, Marko Gjuriq, drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, presidenti kosovar Hashim Thaçi e falënderoi ambasadorin Grenell për angazhimin në këtë proces.

“E falënderoj ambasadorin Grenell për punën e shkëlqyer që e ka bërë për të arritur këtë marrëveshje. Marrëveshja e sotme për hekurudha është mesazhi më i mirë për rajonin që të ketë më shumë paqe dhe stabilitet. Kosova beson në lidershipin e administratës Trump”, tha ai.

Ndërkaq, Grenell i falënderoi të dy presidentët, Thaçin dhe Vuçiqin.

“Tashmë janë dy marrëveshje. Fola edhe me presidentët se është mirë që sa më tepër që është e mundur të ketë koncentrim në zhvillimin ekonomik dhe vendeve të reja të punës. Faleminderit të gjithëve, sidomos presidentëve për vullnetin”, tha Grenell.

Marrëveshja për linjën hekurudhore dhe për autostrada vjen pak javë pas nënshkrimit të marrëveshjes për linjë ajrore Prishtinë-Beograd.

KALLXO.com ka raportuar lidhur me paralajmërimet për këto marrëveshje.

Grenell në Serbi paralajmëron edhe linjë hekurudhore Prishtinë-Beograd