Nënshkruhet marrëveshja e huasë për sigurimin e ngrohjes për rreth 38 mijë qytetarë të Prishtinës
Sot është nënshkruar marrëveshja për projektin në vlerë 80 milionë euro, i cili nëpërmjet paneleve solare do të sigurjë ngrohje për një pjesë të lagjes “Arbëria” dhe “Tophane” në Prishtinë.
Realizimi i Projektit “Solar 4 Kosovo” do të financohet nga grantet e Qeverisë Gjermane dhe BE-së nëpërmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) në vlerë të 31.6 milionë eurove dhe 21.5 milionë eurove, si dhe një kredi e butë nga BERZH-i në vlerë të 23.2 milionë eurove.
Marrëveshja e huasë dhe grantit për projektin “Solar 4 Kosovo” është nënshkruar nga kryeshefi i ndërmarrjes “Termokos”, Fisnik Osmani; ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szyong; ministri i Financave, Hekuran Murati; zëvendësambasadori gjerman në Kosovë, Mathias Conrad dhe drejtoresha menaxhuese e BERZH-it për Evropën Qendrore dhe Juglindore, Charlotte Ruhe.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se ky projekt përveç që do të sigurojë qasjen në sistemin e ngrohjes qendrore për rreth 38 mijë qytetarë, gjë që do të zëvendësojë sistemet individuale të ngrohjes, do të ndikojë edhe në eliminimin e ndotjes së ajrit në Prishtinë.
Derisa, ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka shprehur kënaqësinë e tij, që nëpërmes këtij investimi BE-ja do të vazhdojë mbështetjen në tranzicionin energjetik dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës përmes projektit për energji diellore prej 100 MW.
“Krenar me vazhdimin e mbështetjes nga ana e Qeverisë gjermane për arritjen e përmbushjes së qëllimit të përbashkët për sigurimin e energjisë së qëndrueshme për Kosovën” – është shprehur edhe zëvendësambasadori gjemrman në Kosovë, Mathias Conrad.
Ai rikujtoji se falë këtij projekti pionier shumë familje në Prishtinë do të ndalojnë djegien e qymyrit dhe drurit për të ngrohur shtëpitë e tyre, gjë që do të ndikojë edhe në cilësinë e ajrit.
Projektin “Solar 4 Kosovo”, drejtoresha menaxhuese e BERZH-it për Evropën Qendrore dhe Juglindore, Charlotte Ruhe, e ka cilësuar si një tjetër investim të madh në Prishtinë, në kuadër të qyteteve të gjelbra të BERZH-it.
Për nga kapaciteti ky projekt është një nga impiantet më të mëdha diellore në Evropë dhe i pari në rajon.