Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Nënshkruhet kontratë për auditim energjetik të ndërtesës së Kuvendit të Kosovës

Ministria e Ekonomisë ka nënshkruar kontratë për auditimin energjetik të ndërtesës së Kuvendi të Kosovës në vlerë 48,380 mijë euro.

Fituese e këtij tenderi është shpallur kompania N.P ‘LINKS 4’ me seli në Prishtinë. Dhe sipas kushteve të përcaktuara me kontratë, duhet ta kryejë auditimin brenda 50 ditëve.

Ministria e Ekonomisë ka kërkuar që auditimi i energjisë për ndërtesën Kuvendit të Kosovës të bëhet konfrom kërkesave minimale për performancë energjetike.

“Të hartohet projekti detal duke përfshirë paramasa dhe parallogaria si dhe kriteret teknike, specifikimi i standardeve të aplikueshme, me qëllim të zbatimit të masave të propozuara. Të bëhet projekti detal për aplikimin e teknologjive nga BRE – për sistemin Solar PV, me qëllim të përgatitjes për tenderim dhe instalim. Të listohen procedurat dhe dokumentet e nevojshme që duhet te përgatiten për autorizim për regjistrim në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë ZRRE si gjenerator për vetkonsum” – thuhet në njoftimin për nënshkrimin e kontratës.

Dy kompani kishin dorëzuar ofertat e tyre por vetëm njëra prej tyre është shpallur e përgjegjshme, tashmë kompania fituese e këtij tenderi.

Vlera e parashikuar për këtë tender ishte 50 mijë euro ndërsa kontrata është nënshkruar për gati 2 mijë euro më pak.

Kontrata mes Ministrisë së Ekonomisë dhe kompanisë fituese është nënshkruar më 16 nëntor.

Këtë vit është paralajmëruar një dimër i vështirë sa i përket furnizimit me energji elektrike. Qeveria e Kosovës iu ka bërë thirrje qytetarëve dhe institucioneve publike që të kursejnë energji elektrike në mënyrë që të kalohet pa shumë vështirësi në pranverë.