Foto: Liburn Aliu/ Facebook

Nënshkruhen marrëveshje për banim social adekuat

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka nënshkruar memorandumet e mirëkuptimit për projektin e banimit social adekuat.

Projekti në vlerë prej 37 milionë eurosh, sipas ministrit Liburn Aliu, ka për qëllim përmirësimin e kushteve të banimit për qytetarët me të ardhura të ulëta dhe të mesme, duke përfshirë edhe grupet më të cenueshme të shoqërisë.

“Nën-projektet kryesore që do të realizohen brenda këtij projekti janë: Ndërtimi i projekteve të reja për banim social, renovimi i njësive ekzistuese të banimit social dhe Rindërtimi apo renovimin e shtëpive private për familjet e cenueshme”- thuhet në njoftim.

Sipas ministrit Aliu, 27 komuna kanë shprehur interes për t’u përfshirë në këtë projekt.

“Përkushtimi ynë për zhvillimin dhe përmirësimin e kushteve të jetesës vazhdon, dhe jam i bindur se ky projekt do të sjellë rezultate konkrete dhe të prekshme për ata që kanë më shumë nevojë”- përfundoi Aliu.

Gjithashtu Komuna e Mitrovicës së Veriut ka njoftuar se Erden Atiq, kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, nënshkroi sot memorandumin për projektin e banimit social adekuat, duke u angazhuar për përmirësimin e kushteve të banimit për familjet në nevojë.