Nënkryetarja e AAK-së tërhiqet nga gara për deputete

Nënkryetarja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Magbule Shkodra ka njoftuar se nuk do të kandidojë për deputete në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Ajo ka shkruar në Facebook se për këtë vendim tashmë është njoftuar edhe kryetari i kësaj partie Ramush Haradinaj. Shkodra nuk ka përmendur arsye për këtë moskandidim përveç se e ka quajtur vendim personal.

“Duke qenë se kam marrë shumë telefonata, mesazhe përmes të cilave keni shprehur gatishmërinë dhe përkushtimin tuaj që të jeni përkrahës, ashtu si gjithmonë, në rast të kandidimit tim, dua t’ju falenderoj nga thellësia e shpirtit si dhe të premtoj se përsëri do të vazhdoj të jem zëri i juaj në të mirë të shtetit të Kosovës kudo e kurdo që më jepet mundësia, me të njëjtin përkushtim e dashuri për vendin tonë të dashur”, ka shkruar ajo.

Nga kandidatura për deputete të AAK-së sot është tërhequr edhe ish-deputetja Donika Kadaj-Bujupi.

Kujtojmë se zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare do të mbahen më 14 shkurt 2021 ndërsa në këto zgjedhje AAK-ja garon e vetme dhe me kandidatin për president, Ramush Haradinaj.