Nënkryetari i Prishtinës sqaron se cilat biznese do përfitojnë nga granti 5 milionësh

Komuna e Prishtinës dje njoftoi se ka në plan të ndajë 5 milionë euro grante për biznese të vogla dhe media që funksionojnë në Prishtinë.

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi, për Kallxo.com ka dhënë më shumë detaje lidhur me këtë grant dhe bizneset që do përfitojnë prej tij.

Nushi tha se ky grant erdhi si shkak i mosfunksionimit të disa bizneseve në kohë të pandemisë, kurse procedura për aplikim hapet gjatë këtij muaji.

“Komuna e Prishtinës në mbledhjen e rregullt të Kuvendit Komunal të datës 10.06.2020, e ka aprovuar pakon emergjente për biznese në shumë prej 5 milionë Euro, si ndihmë emergjente për shkak të mosfunksionimit të tyre gjatë periudhës së pandemisë COVID-19. Për këtë qëllim është përgatitur edhe faqja elektronike ku bizneset do të aplikojnë. Gjatë Nëntorit fillon aplikimi, dhe në fund të muajit ose ne javën e parë te Dhjetorit fillon ndarja e mjeteve nga kjo pako emergjente për rimëkëmbjen e bizneseve,” ka thënë Nushi.

Sipas Nushit, nga ky grant do përfitojnë ato biznese që janë aktive kurse bizneset që kanë qenë në funksion gjatë kohës së pandemisë nuk do hyjnë në këtë pako.

Tutje Nushi shtoi se këto biznese do selektohen në bazë të kritereve.

“Në Komunën e Prishtinës janë gjithsej të regjistruara afër 44000 biznese (sipas ARBK në kuadër të MTI), por që ne do të bazohemi vetëm në ato biznese që janë aktive (databaza e ATK). Në DB e ATK janë gjithsej 19919 biznese aktive të ndara në 5 kategori (sipas madhësisë së tyre). Shumica e bizneseve të kategorive 4 dhe 5 kanë punuar në kohën e pandemisë, prandaj këto 2 kategori nuk do të hyjnë në këtë pako. Tri kategoritë tjera përbëjnë 18848 biznese që do të mund te aplikojnë gjatë këtij muaji. Bizneset e mëdha (të lejuara të punojnë edhe gjatë kohës së pandemisë sipas udhëzimit të MTI, ose MEPTINIS në qeverinë e kaluar) përbëjnë gjithsej 1071 biznese (kryesisht barnatore, pompa të derivateve, banka, hipermarkete. Bizneset do të selektohen në bazë të kritereve që do të përcaktohen nga grupi punues,” ka shtuar tutje Nushi.

 

Shpend Ahmeti ndan 5 milionë euro për bizneset dhe 100 mijë euro për mediat