Nënkryetari i Prishtinës: Kemi shpenzuar vetëm 15% të buxhetit për investime kapitale

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, ka thënë se Komuna deri më tash ka shpenzuar vetëm 15% të buxhetit për investime kaptiale, për këtë vit.

Zogaj në emisionin ‘Kallxo Përnime’ bëri të ditur se buxheti i Prishtinës për investime kapitale për 2022 është 40 milionë euro, ndërsa Komuna ka arritur të shpenzojë përafërsisht 10 milionë euro.

Zogaj tha se shkak i kësaj është inflacioni.

“Problemet më të mëdhaja që i kemi aktualisht në sektorin publik, janë këto proceset e prokurimit që po na zgjasin kaq shumë. E krejt lidhen me planifikimin, pastaj me procesin e prokurimit që janë të ngadalshme e që janë të dobëta, këtë po e pranoj edhe po e themi vazhdimisht” – tha ai.

Tutje, Zogaj deklaroi se kontratat që kanë qenë të lidhura në vitet paraprake, janë detyruar që të shkëputen për shkak të rritjes së çmimeve.

“Gati 30 kontrata i kemi shkëputur, që po flasim për miliona euro të shkëputura. Do të shkojnë në procese gjyqësore, duhet me i rishpallë , tek tash në fund të vitit me i nënshkru. Ligji i prokurimit nuk lejon me bo negociata për shkak të konfliktit të interesit dhe thotë se duhet një vendim i përbashkët. Në mars apo prill të këtij viti, ne i kemi propozuar Qeverisë së Kosovës që ta marrim një vendim të përbashkët, ku themi ‘krejt kontratat po i rrisim për 20% në mënyrë automatike’. Duke pasur parasysh që të gjitha komunat dhe ministritë e kanë këtë problem, deri tash kaloi krejt vera, por tash kam informata që mundet me dalë dhe me u votu në Qeveri” – tha ai.

Sipas tij, kjo është një prej aryseve kryesore pse niveli qendror dhe ai lokal ka problem me shpenzimin e buxhetit. Inflacioni i lartë, sipas Zogajt, ka ndikuar që sektori privat të tërhiqet nga kontratat e nënshkruara.

“Ne i kemi pasë diku rreth 40 milionë euro me i shpenzu në investime kapitale këtë vit, edhe po besoj që jemi diku te 15% të realizimit. Shpresoj që tash në fund të vitit të shkojmë në 20 – 25%, që për mendimin tim është tepër pak. Në shifra i bie diku rreth 10 milionë euro” – tha Zogaj.