Nënkryetari i Podujevës thotë se nuk u njoftua nga niveli qendror për rastin e prekur me coronavirus

Komuna e Podujevës e  ka konfirmuar sot rastin e parë me coronavirus duke e zgjeruar kështu hartën me të prekur nga virusi vdekjeprurës në Kosovë. Deri më tani të prekur nga ky virus ka edhe në Klinë, Malishevë dhe Viti.

Komuna e Podujevës orët e vonshme ka mbledhur shtabin emergjent për të ndërmarrë masat e parandalimit të përhapjes me coronavirus.

Kështu ka bërë të ditur në një intervistë për KALLXO.com, ushtruesi i detyrës së Kryetarit të Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari.

Rudari ngriti pakënaqësitë se sot ani pse rezultatet pozitive kanë dalë për një të infektuar nga Podujeva, askush nuk e kishte lajmëruar komunën.

“Në fakt kemi pasur një dy tri ditë jemi në kontakt me qeverinë prej ministrisë por konkretisht unë si ushtrues detyre i kryetarit të komunës nuk më kanë kontaktuar. Kam marrë informata nga QKMF që ISHP ka dalë me një rezultat për një pacient që ka dalë pozitiv dhe ne menjëherë jemi mbledhur si shtab për të shikuar se cilat masa duhet t’i ndërmarrim menjëherë dhe do të takohemi me shtab nesër në mëngjes për të ndërmarrë masat e tjera”, tha Rudari.

Të njëjtat pakënaqësi i shfaqi edhe Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj në intervistën e dhënë përmes Skype për KALLXO.com.

“Malishva është e shqetësuar por është e përgatitur me i kalu edhe këto sfida. Kemi marrë informacion se edhe tre qytetarë të Malishevës dhe janë në Klinikën Infektive dhe kam qenë në kontakt me doktorin Salih Ahmeti. Ata janë tre familjarë që kanë pasur kontakt më parë me rastin e parë të konfirmuar. Unë kam thënë edhe më herët se, nëse e kishim ditë se Malisheva do të goditet prapë, do të kishim kërkuar prej nivelit qendror që të kenë kujdes të veçantë për Malishvën. Sot askush nuk na ka njoftuar përveç klinikës infektive që i kemi thirrë sonte. Sipas klinikës gjendja e pacientëve është stabile. Mbrëmë kanë mbërri një sasi e barnave dhe mjeteve mjekësore. Besoj se në ditët e ardhshme Malisheva të përforëcohet më shumë”, tha Begaj.

Ai shtoi se Qeveria e Kosovës do të duhej të intervenonte më shpejtë.

“Malisheva është në karantinë tani është shpallur gjendje emergjente në të gjithë vendin por ndoshta ish dashtë me pas një intervenim më të shpejtë të nivelit qendror”, tha tutje kryetari i Malishevës.

Gjatë ditës së sotme janë konfirmuar katër raste me të prekur me coronavirus.

Tre nga të prekurit janë nga Komuna e Malishevës ndërsa një tjetër nga Komuna e Podujevës.

Deri më tani numrii të infektuarve me coronavirus ka shkuar në nëntë.

KALLXO.com vazhdimisht po raporton për të rejat që po zhvillohen në këtë rast.