Nënkryetari i LDK-së: Që të arrihet marrëveshja duhet të lëshojnë pe të dyja palët

Pas pak pritet të mbahet takimi në mes Albin Kurtit dhe Isa Mustafës, i cili mund të jetë final për arritjën e koalicionit në mes Lëvizjës Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

E për të ndodhur kjo, sipas nënkryetarit të LDK-së Haki Rugova, të dyja partitë duhet të tregohen tolerante me njëra-tjetrën.

“Për me u arrit marrëveshjen duhet me lëshu pe të dyja palët, kjo është parim standard i negocimit”, thotë Haki Rugova, nënkryetar i LDK-së në një bisedë për KALLXO.com.

Por, sipas tij nuk mund të bëhet me veprime një-anshme, si rasti i zgjedhjes së kryekuvendarit, Galauk Konjufca.

Glauk Konjufca u zgjodh në krye të Kuvendit të Kosovës më 26 dhjetor. Dy partitë, LVV dhe LDK, shkuan në Parlament pa një marrëveshje paraprake. Ndonëse pa ujdi paraprake, Konjufca mori përkrahjen edhe nga partia e Isa Mustafës.

Kryetari i Istogut nga LDK thotë se qëndrimi i partisë është që të arrihet marrveshja me partinë e Albin Kurtit. Por, sipas tij, lideri i Vetëvendosjes nuk është korrekt në negocimin e marrëveshjës për bashkëqeverisje.

“Duhet me e bë institucionet. Ai (Albin Kurti), po do gjithçka, në atë stilin negociues, çka është e imja është e imja, ajo çka e jujaja është e negociueshme. Unë nuk mendoj që mund të jetë kështu. Unë besoj se z. Mustafa do t’i përballoj të gjitha, këto sfida i ka pasur edhe në të kaluarën”, thotë nënkryetari Haki Rugova.

Rugova ka ripërsëritur edhe njëherë qëndrimin e partisë për tri postet më të larta shtetërore.

“Duhet të flitet për tri pozicionet e larta shtetërore, kryeparlamentari, kryeministri dhe presidenti. Duhet të figurojnë në marrëveshje, çfarë do të jetë ajo marrëveshje mund ta pyesni z. Mustafën”, thotë ai.

Rugova ka përmendur edhe formimin e ekzekutivit kosovar edhe pa Vetëvendosjen.

“Jam bazuar në domosdoshmërinë e krijimit të institucioneve të Kosovës, kjo është ajo çfarë kam thënë”, thotë ai duke sqaruar raportimet e mediave mbi ketë deklaratë.

“Kushtetuta ka plotë variante e plotë mundësi, jo gjithmonë partia e parë e ka pasur kryeministrin, jo gjithmonë partia e parë e ka pasur kryeparlamentarin ose presidentin. Por, çdo gjë duhet të jetë rezultat i marrëveshjes. Ata e kanë obligim me kriju Qeverinë, nuk po e kontestojmë mandatimin e tij”, deklaroi ai.

Ai ka lënë të hapur edhe mundësinë që të shkarkohet i pari i Kuvendit të Kosovës e ajo pozitë t’i kthehet LDK-së.

“Pse nuk e kthejnë kryeparlamentarin? Ka pasur raste kur është kthyer, ju kujtohet, vetë Isa Mustafa. Të gjitha opsionet duhet të jenë në tavolinë, edhe kthimi i kryeparlamentarit”, thotë në fund Haki Rugova.

Dje gjatë ditës, Albin Kurti dhe Isa Mustafa zhvilluan një takim, pas dy javëve pauzë, për të arritur një marrëveshje qeverisëse, por pa sukses.

Ndërkohë, lideri i LVV-së, ka zhvilluar edhe një takim konsultativ me Presidentin Thaçi për caktimin e mandatarit nga i pari i vendit.