Nënkryetari i LDK-së për tarifën: Veprimi i sotëm i qeverisë do të ketë sërish pasoja

Ndonëse njëra nga arsyet e prishjes së koalicionit qeverisës mes LVV-së dhe LDK-së ishte mos-heqja e tarifës 100% për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, LDK sot po e sheh si hap të gabuar vendimin e Qeverisë në detyrë, për heqjen e tarifës dhe vendosjen e masës së reciprocitetit ndaj Serbisë.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, përmes një postimi në Facebook ka deklaruar se veprimi i sotëm i qeverisë do të ketë pasoja përsëri.

Sipas tij, tarifa është larguar pas asnjë koordinim me Qeverinë amerikane.

“Heqja e taksës është bërë pa kurrfarë koordinimi e pa kurrfarë angazhimi, sidomos me Qeverinë amerikane. Nuk shoh që i jep oksigjen politik kësaj situate të rënduar politike. Edhe pse taksa e mori me vete Qeverinë e dytë, veprimi i sotëm ka me qenë me pasoja prapë”, ka shkruar Haziri në Facebook.

Më 31 mars Qeveria në detyrë e Kosovës ka marrë vendim për të hequr tarifën prej 100% ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, derisa mori vendim për të vendosur masat e reciprocitetit ndaj Serbisë.