Imri Ahmeti. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Nënkryetari i LDK-së flet rreth idesë që PDK-ja t’i bashkohet Qeverisë Hoti

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njëherësh kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ka deklaruar se nuk mund të japë ndonjë vlerësim rreth idesë që Partia Demokratike e Kosovës (PDK), t’i bashkohet Qeverisë në krye me Avdullah Hotin.

Ahmeti theksoi se ende nuk janë në pikën kur duhet dhënë vlerësim për këtë çështje.

“Nuk e di, është në nivel të idesë akoma dhe nuk i di vlerësimet, e çka pritet në zhvillimet e mëtutjeshme. Nuk mund të prononcohem, nuk mund të jap vlerësim sepse akoma nuk jemi në atë pikë për të cilën duhet me dhënë vlerësim. Nuk e di, do ta vlerësojmë me kohë”, është shprehur ai.

LDK-ja ia ka hequr “vijat e kuqe” PDK-së, sa i përket mundësisë së bashkëpunimit në koalicion qeverisës, përderisa PDK-ja në vazhdimësi ka kritikuar punën e Qeverisë Hoti, ndonëse nuk po e përkrah Lëvizjen Vetëvendosje me nënshkrime për të proceduar mocionin e mosbesimit ndaj ekzekutivit.

Ahmeti këtë deklaratë e ka dhënë në  emisionin “Jeta në Komunë” në debatin për Lipjanit përballë asamblistëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile.

“Jeta në Komunë” ka filluar transmetimin çdo ditë pune në mbrëmje, ku Jeta Xharra ka përballë nga një kryetar komune për të diskutuar mbi problemet dhe sukseset e komunave që nga marrja e mandatit në fund të vitit 2017.

Debati për Lipjanin do të transmetohet në ditët në vazhdim në orën 22:30 në televizionin Dukagjini dhe në faqen e Facebook-ut të KALLXO.com.