Imri Ahmeti. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Nënkryetari i LDK-së flet për zgjedhjen e Presidentit

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njëherësh kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti ka deklaruar se presidenti i vendit duhet të zgjidhet me marrëveshje gjithëpërfshirëse.

“Duhet marrëveshje gjithëpërfshirëse. Tek e fundit matematika nuk e nxjerr ndryshe”, tha ai.

I pyetur se a duhet që presidenti me qenë prej njërit prej subjekteve politike, ai tha se kjo është çështje mes partive politike.

Ahmeti këtë deklaratë e ka dhënë në  emisionin “Jeta në Komunë” në debatin për Lipjanit përballë asamblistëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile.

“Jeta në Komunë” ka filluar transmetimin çdo ditë pune në mbrëmje, ku Jeta Xharra ka përballë nga një kryetar komune për të diskutuar mbi problemet dhe sukseset e komunave që nga marrja e mandatit në fund të vitit 2017.

Debati për Lipjanin do të transmetohet në ditët në vazhdim në orën 22:30 në televizionin Dukagjini dhe në faqen e Facebook-ut të KALLXO.com.

Mandati i presidentit aktual të Kosovës Hashim Thaçit, i përfundon në prill të vitit 2021, përderisa për këtë çështje nga tash janë shfaqur ambicie për pozitën dhe diskutime në mesin e partive politike në Kosovë.

Kushtetuta e Kosovës e përcakton se zgjedhja e presidentit bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Gjithashtu, presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion tjetër publik, apo në parti politike.