Shqiprim Musliu. Foto: Facebook/Shqiprim Musliu

Nënkryetari i Bujanocit ftohet në bisedë informative nga MPB -ja e Serbisë

Nënkryetari i Komunës së Bujanocit, Shqiprim Musliu ka marrë ftesë nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, që të paraqitet në organet e policisë në Bujanoc.

Përmes një postimi në Facebook, Musliu ka bërë të ditur se është ftuar që më 12 korrik të paraqitet në Policinë e Bujanocit.

“Kjo ftesë ndërlidhet me provokimin që na është bërë në Konçul të Bujanocit, ku tek varri i dëshmorit të kombit Fatmir Ibishi, ishte vendosur një flamur i Serbisë dhe ishte hequr flamuri kombëtar”, ka shkruar Musliu në Facebook.

Postimi i plotë pa ndërhyrje i Musliut:

Të nderuar qytetarë të Bujanocit
Më lejoni t’iu njoftoj se sot kam marrë një ftesë nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, që të paraqitem më datën 12 korrik 2021 në organet e policisë në Bujanoc.
Kjo ftesë ndërlidhet me provokimin që na është bërë në Konçul të Bujanocit, ku tek varri i dëshmorit të kombit Fatmir Ibishi, ishte vendosur një flamur i Serbisë dhe ishte hequr flamuri kombëtar.
Unë, si nënkryetar i komunës, do të paraqitem sipas ftesës zyrtare në institucionin ku më është bërë thirrja dhe do të ripërsëris qëndrimin tim lidhur me këtë ngjarje.
Përsëris se vendosja e flamurit të Serbisë në atë lokacion paraqet një provokim për komunitetin dhe reagimi im ka qenë konform menaxhimit sa më të mirë dhe në qetësi të kësaj situate.
Simbolet kombëtare janë të shenjta dhe duke respektuar këto simbole ne forcojmë themelet dhe vlerat sublime të demokracisë.