Nënkryetari i AKR: Nuk do të bëjmë koalicione tjera natën

NISMA dhe AKR duket se nuk do ta zgjerojnë më tej koalicionin e tyre.

Nënkryetari i AKR-së, Fatmir Matoshi, tha se këto dy parti nuk kanë ndonjë marrëveshje me ndonjë parti tjetër për të lidhur koalicion parazgjedhor.

“Rreth orës 20:30 do ta dorëzojmë aplikacionin për koalicion parazgjedhor me Nismën Socialdemokrate. Nuk kemi ndonjë marrëveshje tjeter, nuk do të bëjmë koalicione tjera natën”, tha Matoshi.

Më herët, një grup prej tri partive të komunitetit boshnjak të Kosovës kanë aplikuar të parët për regjistrim të koalicionit të tyre parazgjedhor në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Këtë ata e kanë bërë në orët e mbrëmjes së të premtes, pak orë para se të përfundojë afati për aplikim i koalicioneve parazgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 6 tetorit.

Sipas Valmir Elezit, zëdhënës në KQZ, këtë koalicion e përbëjnë Demokratska Stranka Bošnjaka, Demokratska Stranka Vatan dhe Ujedinjena Stranka Bošnjaka.