
Nënkryetari: E gjithë bota i ka sytë në Mitrovicë përveç atyre që e ndajnë buxhetin
Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faruk Mujka ka shprehur pakënaqësi për ndarjen buxhetore nga niveli qendror për këtë komunë.
Në debatin që u zhvillua në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Jugut, nënkryetari Mujka tha se edhe disa nga gjetjet e Auditorit në raportin e vitit 2018 për këtë komunë vijnë si rezultat i mos koordinimit mes nivelit lokal dhe atij qendror.
“Duhet të ceket situata specifike politike dhe gjeografike e Komunës së Mitrovicës në energjinë që duhet dhënë për ruajtjen e sigurisë publike me ka në shumë raste rrezikohen edhe investimet kapitale siç është rasti i fundit të rregullimit të shtratit të lumit Ibër. E gjithë bota i ka sytë në Mitrovicë pos ata që vendosin për ndarjen e buxhetit”, ka potencuar Mujka.
Më tej ai deklaroi se Komuna e Mitrovicës së Jugut kryen shërbime edhe për banorët nga veriu të cilat nuk llogariten nga niveli qendror.
“Akoma duhet shpjeguar që i kemi mbi 10 mijë të zhvendosur nga veriu dhe se shumë shërbime komuna jonë i kryen për banorët nga veriu e që nuk llogariten në nivelin qendror siç janë ato në fushën e bujqësisë, arsimit, shëndetësisë, harxhimet e varrimit, pagesën e qirave për shtëpi për familjarët nga veriu që jetojnë në pjesën jugore”, deklaroi Mujka.
Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) ka realizuar një analizë duke u bazuar në raportet e auditimit të Komunës së Mitrovicës së Jugut në katër vitet e fundit. Gjetjet kryesore të BIRN janë prezantuar nga Visar Prebreza, redaktor i BIRN, në një debat të organizuar në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Jugut para asamblistëve, drejtorëve komunalë dhe shoqërisë civile.
KALLXO.com vazhdimisht ka publikuar analiza sa i përket raporteve të auditimit të institucioneve qendrore dhe lokale të Kosovës. Në këto analiza kanë shpërfaqur mangësitë, shkeljet dhe çështjet që janë identifikuar ndër vite nga ZKA.
Debati në Komunën e Mitrovicës së Jugut është organizuar nga BIRN me mbështetjen e Ambasadës britanike.
Analizën për Komunën e Mitrovicës së Jugut mund ta lexoni KËTU
Pas Komunës së Mitrovicës së Jugut, debatet sa i përket raporteve të auditimit do të mbahen edhe në komuna të tjera të Kosovës.
Debati në Komunën e Mitrovicës së Jugut është transmetuar live në platformën e KALLXO.com në Facebook.
Live: Debat për gjetjet dhe rekomandimet e Auditorit në Komunën e Mitrovicës së Jugut
Publiée par Kallxo.com sur Mardi 10 décembre 2019