Nënkryetari Ajeti flet për projektet që po implementohen në Graçanicë- VIDEO

Një varg projektesh po implementohen në Komunën e Graçanicës në këto tri vjet qeverisje. Disa prej tyre janë iniciuar edhe nga nënkryetari për komunitete në këtë komunë, Leutrim Ajeti.

Në intervistë për “Jeta në Komunë”, ai ka përmendur disa prej tyre, me të cilat thotë se krenohet.

“Po flas për premtimet e mia, punët që më kanë bërë krenar më së shumti janë: vija e autobusit Prishtinë-Graçanicë-Kishnicë, e realizuar bashkë me kryetarin e Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama, e cila u ka lehtësuar lëvizjen në masë të madhe qytetarëve për në kryeqytet” – ka thënë Ajeti në KALLXO.com.

“Një projekt tjetër me të cilin jam krenar është ndërrimi i gypave të azbestit në Kishnicë dhe kyçjet individuale janë duke përfunduar” – tha Ajeti.

Tutje, nënkryetari i Graçanicës foli edhe për projektet në fushën e infrastrukturës.

“Në ato rrugë ku është shtruar asfalt ka shkuar gjithçka në rregull dhe çmimet kanë qenë standarde” – deklaroi Ajeti.

Rrugë u shtruan edhe në lagjen e komunitetit rom.

“E kemi shtruar rrugën kryesore në lagjen e romëve dhe po presim edhe në pranverë disa projekte tjera”, tha ai.

Ndërsa, Ajeti premtoi që do të zgjidhet edhe një problem me kanalizimin në Llapnasallë të Graçanicës.

“Me çështjen e kanalizimit në Llapnasellë jam marrë edhe unë, ndërlidhen edhe dy komuna të tjera, Prishtina dhe Fushë Kosova. Unë kam kërkuar nga drejtoritë përkatëse që me zgjidhë këtë problem. Kam dërgu e-mail për me u taku” – ka thënë ai.