FOTO: Afrim Veseli

Nënkoloneli i FSK-së ia ofron Qeverisë gjithë kursimet e tij pensionale për luftën ndaj COVID-19

Nënkoloneli i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), Afrim Veseli, njëherit veteran u luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka deklaruar se do t’i dhurojë të gjitha kursimet e tij për Kosovën, që ta ndihmojë në situatën me COVID-19.

Nënkoloneli i FSK-së,  Afrim Veseli ka vendosur që vlerën prej 18.250 eurosh t’ia ofroj shtetit të Kosovës pa asnjë kompensim deri në pensionimin e tij.

Në letrën e tij, Veseli, të cilën ia ka dërguar kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, zëvendëskryeministrit, Besnik Tahiri si dhe zëvendësministrit të Financave, Agim Krasniqi, thuhet se ky gjest është për shkak se shtetit të Kosovës i duhet të marrë kredi nga jashtë për t’u përballur me pandeminë COVID-19.

“Nëse shtetit dhe qeverisë sime, i duhet të marrë kredi nga jashtë, për ta kaluar vendi jonë sa më mirë këtë krizë, unë ia ofrojë shtetit tim dhe qeverisë sime, paratë e trustit që gjatë viteve i kam të grumbulluara, në shumë prej 18,250 euro, pa asnjë kompensim, deri në kohën e pensionimit tim. Pra për 12 vite. Atdhe kemi vetëm një, Kosovën tonë”, thuhet në letrën e Veselit, të cilën e ka siguruar KALLXO.com.

Veseli poashtu ka refuzuar që të plotësojë formualrin për të përfituar nga pakoja emergjente për shkallën e rrezikshmërisë gjatë punës së tij gjatë kohës së pandemisë.

Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës ka njoftuar se nuk ka asnjë vendim të Qeverisë për tërheqjen e 10 përqindëshit të kursimeve pensionale.

Trusti përmes një sqarimi ka treguar se ka pranuar ditët e fundit numër të lartë kërkesash për çështjen e 10%-shit, që është deklaruar nga Qeveria e Kosovës se do t’u lejohet kontribuuesve t’i tërheqin nga Trusti.

“Ju njoftojmë se NUK KA ende asnjë vendim përfundimtar për tërheqjen e 10%-shit, andaj nuk ka mundësi askush ende t’i tërheq mjetet nga Trusti. Ne do t’u njoftojmë me kohë për çdo ndryshim. Ju lutemi, po ashtu, të shmangni vizitat në zyrat tona për çështjen e 10%-shit, pasi kështu po vështirësohet tejet shumë shërbimi i kontribuuesve, kjo për shkak të kufizimeve që janë në fuqi nga pandemia e COVID-19”, thuhet ne njoftimin e Trustit.

Letra e plotë e nënkolonelit Veseli:

Zotëri Kryeminister,

Dua ta falënderojë Qeverinë tonë dhe Juve, për kujdesin dhe masat e ndërrmara  për tejkalim të krizës Personalisht nuk dua asnjë kompenzim nga shteti im. Më mjafton paga që marr.

Nëse shtetit dhe qeverisë sime, i duhet të marrë kredi nga jashtë, për ta kaluar vendi jonë sa më mirë këtë krizë, unë ia ofroj shtetit tim dhe qeverisë sime, parat e trustit që  gjatë viteve i kam të grumbulluara, në shumë prej 18,250 euro, pa asnjë kompenzim, deri në kohen e pensionimit tim. Pra për 12 vite. Atdhe kemi vetëm një, Kosovën tonë.

N.Kolonel Afrim Veseli

Forca e Sigurisë së Kosovës.

FOTO – Afrim Veseli