Nënkoloneli Bujupi: “U kry, edhe ky n'mujtë me gëzu le ta gëzojë”

Në emisionin “Kallxo Përnime” po transmetohet hulumtimi se si nënkoloneli i Policisë së Kosovës, Valdet Bujupi, dyshohet se kërcënoi anëtarët e komisionit gjatë hapjes së ofertave për dhënien me qira të pronës komunale në Arllat të Drenasit.

Nënkoloneli Bujupi dëgjohet duke pretenduar se nuk ka qenë i barabartë ne konkurrencë me aplikuesit e tjerë.

Komuna e Drenasit tetorin e vitit të kaluar hapi ankandin publik për dhënien ne shfrytëzim afatgjatë të pronës prej 37 ari ne fshatin Arllat.

Për 10 vite me radhë kjo pronë me kontratë ishte shfrytëzuar nga kompania “Albioni”, e cila e kishte marrë nga Komuna për një qira vjetore pre 375 euro në vit. Auto-shkolla “Albioni” është pronë e familjes së nënkolonelit të Policisë Valdet Bujupi, i cili u suspendua ditë me parë nën dyshimin se kishte keqpërdorur detyrën zyrtare.

Komuna e Drenasit me ankand të hapur publik këtë pronë ia kishte dhanë kompanisë “IP-KOS”, e cila do t’i paguajë Komunës pagesën prej 8,988 euro ne vit për shfrytëzimin e saj.

Burim Leci, drejtor i kompanisë “IP-KOS”, kompani kjo e cila e ka fituar tenderin për shfrytëzimin e kësaj prone, po pretendon se që nga ajo kohë kanë pasur probleme që të punojnë në të.

“Problemet kanë filluar pasi që janë shpallur fituesit d.m.th. atëherë janë shfaqur problemet, kur shfrytëzuesi i pronës deri në atë kohë edhe pse e kenë fituar ne tenderin kemi filluar me pagu qiranë në Komunë, nuk i ka larguar asetet e veta nga aty, pastaj është dashur me thirrë asistimin e Komunës e të Policisë që me na ndihmu me i largu ato pajisjet që kanë qenë në pronë dhe prej atëherë ai ka fillu me bo probleme të ndryshme, me na dëmtu pronën, kabinën e rojeve të sigurimit, dollapin e rrymës e me vonë deri sa në fund edhe me armë në rezervuarin e naftës”, theksoi ai për emisionin.

Hulumtuesit e emisionit e kishin takuar nënkolonelin Valdet Bujupi.

Ai nuk ka dashur të flasë para kamerave por ka mohuar se e ka kërcënuar drejtoreshën e Komunës apo dikënd tjetër në ditën kur janë hapur ofertat.