Nenad Rashiq: Ka pasë raste kur komunat i kanë keqmenaxhuar mjetet e ndara në kohë pandemie

Nenad Rashiq ka qenë sot i ftuar për intervistë në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së COVID-19.

Rashiq në këtë komision u pyet nga deputeti Veton Berisha, në lidhje me bashkëpunimin me komunat në kohën sa vendi ishte në izolim.

“Izolimi për ne ka qenë jashtëzakonisht i rëndë, në mungesë të dorës institucionale jemi detyru që të ndërmarrin veprime përmes njerëzve, shoqatave që kemi rreziku edhe prezencën tonë. A ka pas mundësi në rrugë institucionale pse është dashtë me pritë me hapë një shpallje publike me ftu organizata joqeveritare që kanë mujt me qenë shumë të pasigurta, pse nuk e keni përdorur rrugën institucionale me ato dy milionë duke i pasë strukturat komunale dhe qendra në nivele komunale”, u pyet Rashiq nga deputeti Berisha.

Rashiq tha se ka pasë raste kur komunat i kanë keqmenaxhuar mjetet e ndara në kohë pandemie.

“Ky është mendimi im personal, sa i përket pse mos të përdoren komunat apo zyret lokale, sepse jo pak herë kanë ndodhë se bash komuna i ka keqmenaxhu ato mjete. E di që shumë herë kanë ndodhur që kryetarët e komunave kanë menaxhu në formën që ata nuk e kanë dhënë atë që atyre u nevojitet më së shumti sepse kanë pasë paragjykime politike”, tha ai.

Në anën tjetër u diskutua edhe për stagnimin e mësimnxënies nga komunitetet pakicë, ku sipas Berishës 40% e komuniteteve nga mungesa e teknologjisë patën ngecje për mësimnxënie.