Nëna me djalin hidhen nga banesa që u kaplua nga zjarri

Top Channel ka siguruar momentet e tmerrit që përjetuan viktima 62-vjeçare dhe djali i saj, ndërsa shtëpia e tyre në zonën e Astirit në Tiranë u përfshi nga flakët.

Pasi pritën 45 minuta për ndihmë nga zjarrfikësja apo banorët, ata u hodhën nga kati i tretë i banesës. Një prej banorëve ka filmuar ngjarjen, ku duken edhe dy trupat e tyre përtokë.

Mëngjesin e sotëm në Astir, për t’i shpëtuar flakëve që përfshinë shtëpinë rreth orës 6 të mëngjesit, 62-vjeçarja u hodh nga kati i tretë bashkë me djalin e saj me probleme të shëndetit mendor.

Hava Osmënaj nuk arriti të mbijetonte, ndërsa djali i saj 36-vjeçar Klodjan Osmënaj ka marrë plagë të rënda dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Traumës në Tiranë.

Një nga fqinjët e Hava Osmënaj tha për Top Channel se në mëngjes dëgjuan britma dhe thyerje xhamash, ndërsa zjarrfikësja erdhi shumë vonë, pas 45 minutave.

Ndërsa shprehet e tronditur, ajo tha se as qytetarët nuk tentuan ta ndihmonin me një dyshek gruan, por qëndruan pasivë duke parë ngjarjen.

“Jam shumë  e tronditur. Dëgjuam britma dhe thyerje të xhamave, zjarri u përhap dhe po priste prej 45 minuta dhe po thërriste për ndihmë. Ambulanca dhe zjarrfikësja erdhi me vonesë. Ne nuk tentuam nuk morëm iniciativën për të ardhur në ndihmë për të paktën me një dyshek”, tha komshia.

Sipas gazetares së Top Channel, Rudina Muça, pasi zjarri ka përfshirë shtëpinë, gruaja ka tentuar të largohet nga dera, por djali i saj me problem të shëndetit mendor nuk e ka ndjekur.

Më pas 62-vjeçarja është kthyer për të marrë djalin dhe kanë ngecur të dy në ballkon. Pas 45 minutash pritje, ajo është hedhur nga kati i tretë, i ndjekur më pas nga djali i saj.

Sipas komshinjve, ata kishin konflikte me njëri-tjetrin dhe djali shqetësonte banorët e tjerë të lagjes.

Nuk dihet ende se çfarë e shkaktoi zjarrin në apartamentin ku ata banonin, ndërsa dyshimet e para janë se është vënë qëllimisht nga djali me probleme të shëndetit mendor. Top Channel