Nën ndikim të alkoolit deklaron rrejshëm në Polici se i janë vjedhur më shumë se 3 mijë euro

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, rreth orës 07:30, një person i moshës 48-vjeçare kishte raportuar në policinë e stacionit në Shtime, se në fshatin Gjyrkovc persona të panjohur e kishin sulmuar.

Madje ai ka thënë se këta persona me dhunë i kishin grabitur para në vlerë prej 3 mijë e 500 euro dhe kishin ikur me një automjet në drejtim të panjohur.

Mirëpo, vet ankuesi, pas intervistimit nga hetuesit policor, në prani edhe të avokatit mbrojtës, rreth orës 15:00, në tërësi e ka pranuar veprën se ka deklaruar rrejshëm.

Me të pranuar raportimin e rrejshëm nga ankuesi policët e rendit, e më pas edhe hetuesit rajonal nga Sektori Rajonal i Hetimeve nën autorizim të prokurorit kujdestar i kishin marrë veprimet e nevojshme.

Këta policë kishin pasur dyshime se mund të ketë lajmërim apo kallëzim të rrejshëm të rastit dhe fillimisht ankuesi është testuar me alkool test, i cili është thënë se ka rezultuar me 1.42 promila.

Në anën tjetër, pas intervisitimit dhe pranimit nga i dyshuari se ka qenë deklarim i rrejshëm, prokurori i rastit ka marr vendim që i njëjti lirohet për procedurë të mëtejme hetimore dhe ndaj tij është iniciuar kallëzim penal, nën dyshimin se ka kryer vepër penale “Lajmërimi, apo kallëzimi i rremë’’.