Nehat Thaçi sqaron nëse burgu ku vdiq Astrit Dehari ka dalje sekrete

Tomë Gashi, avokat i familjes së Astrit Deharit, ka deklaruar se Qendra e Paraburgimit në Prizren, ku po mbahej Astrit Dehari, i cili u gjet i vdekur nëntorin e vitit 2016, ka hyrje dhe dalje sekrete në ndërtesën e Policisë në Prizren.

Këtë deklaratë ai e ka dhënë në një intervistë për “InDoks”.

“Ka hyrje-dalje sekrete nga Qendra e Paraburgimit në Prizren në ndërtesën e Policisë së Kosovës në Prizren, aty ku janë kryer hetimet e ashtuquajtura”, ka deklaruar Gashi.

Ai ka thënë se kjo e vërteton edhe deklaratën e nënës së Astrit Deharit, Xhemile Dehari.

“Kjo e vërteton edhe deklaratën e nënës së Astrit Deharit, që në mënyrë të koduar Astriti i ka deklaruar sa ka qenë gjallë, se po e dërgojnë natën dhe po e marrin në pyetje, ndërsa jashtë perimetrit të burgjeve normalisht se kjo do të ishte vërejtur”, ka deklaruar Gashi.

Ndërtesa e burgut të Prizrenit ndodhet ngjitas me stacionin “Alfa” në Prizren mirëpo zyrtarët e Shërbimit Korrektues të Kosovës kanë mohuar mundësinë që dy ndërtesat të kenë lidhje sekrete në mes vete.

Për ta dëshmuar këtë Nehat Thaçi, drejtori i SHKK-së, ka ftuar gazetarët që vetë të hynë në ambientet e burgut dhe të kontrollojnë nëse ka një dalje të tillë.

“Nuk është e vërtetë, unë ftoj edhe gazetarët që të shkojnë dhe të shohin nëse ka ndonjë hyrje-dalje të tillë. Nuk dua të komentoj deklarata të tilla, për këtë temë”, ka deklaruar Thaçi, duke mos dashur të komentojë deklaratën e Gashit.

Astrit Dehari, ishte gjetur i vdekur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren në fillim të nëntorit të vitit 2016. Ai po mbahej në paraburgim në lidhje me dyshimet për sulmin i cili kishte ndodhur në gusht të vitit 2016, ndaj Kuvendit të Kosovës.

Rasti Dehari: Analiza e Zvicrës nuk përjashton vrasjen