Në Zveçan protestuesit serb dëmtuan edhe një automjet të dy shtetasve të huaj

Vetura të shumta janë dëmtuar gjatë protestës së ditës së djeshme në veri të Kosovës nga ana e qytetarëve serb të cilët kundërshtuan aksionin e policisë dhe doganës kundër kontrabandës i cili nisi orët e hershme të mëngjesit në disa vende të ndryshme të Kosovës.

Policia ka njoftuar se gjatë ditës së djeshme është dëmtuar edhe automjeti i dy shtetasve të huaj.

Sipas raportit policor, një grup i qytetarëve të cilët ishin tubuar në afërsi të urës së hekurit në rrugën “Kral Petri” në Komunën e Zveçanit, kanë goditur me gurë dhe kanë dëmtuar xhamin e pasmë të automjetit të shtetasve të huaj.

Automjeti ka qenë në lëvizje dhe në të kanë qenë dy persona.

Dëmtimi i automjeteve ka vazhduar tutje në Zveçan. Aty një qytetar kishte njoftuar se një grup protestuesish i kishin dëmtuar veturën e cila kishte qenë e parkuar para një lokali.

Dy vetura janë dëmtuar edhe në Veri të Mitrovicës më saktësisht në rrugën “Lole Ribar”.

Një qytetar ka raportuar në polici se protestuesit kanë dëmtuar dy vetura të tij.

Në lidhje me këto raste deri më tani sipas raportit policor nuk ka të arrestuar.

KALLXO.com gjatë ditës së djeshme ka raportuar në vazhdimësi në lidhje me aksionin e Policisë së Kosovës në bashkëpunim me Doganën e Kosovës kundër kontrabandës.

Operacioni ishte i shtrirë në disa lokacione dhe qytete të ndryshme në Kosovë.

Policia hasi në rezistencë të protestuesve vetëm në pjesën veriore të Kosovës.

Në anën tjetër policia gjithashtu ka treguar se është në kërkim të dhjetë personave që ndërlidhen me veprën penale të kontrabandës.

Disa zyrtarë policor të njësive speciale janë lënduar në protestën e djeshme e cila ishte organizuar për të kundërshtuar aksionin policor.

FOTO – Largohet barrikada në Mitrovicën e Veriut