Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 do të hapen 942 qendra të votimit

Në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt 2025 do të votohet në 942 qendra të votimit.

Kështu është bërë e ditur në mbledhjen e Komisonit Qendror Zgjedhor (KQZ), më 08.11.2024.

Kryesuesi i Këshillit të operacioneve zgjedhore në KQZ, Arianit Elshani tha se janë përballur me sfidën e mbylljes së disa qendrave të votimit për shkak të kushteve në shkollat e disa fshatrave.

Ai tha se bëhet fjalë për një shkollë në Kaçanik, një në Mitrovicë të Jugut dhe një në Leposaviq.

“Kërkoj nga qytetarët të shohin vetëm përmes makinës kërkuese të KQZ-së apo institucioneve komunale se në cilën qendër ndodhën për shkak të mbylljes së këtyre shkollave”- tha Elshani.

Në “Zgjedhjet 2025”,  heshtja zgjedhore fillon”nga hapja e Qendrave të Votimit në ora 07:00, e deri në mbylljen e tyre në ora 19:00″.

Lista preliminare e miratuar në mbledhjen e mbajtur më 28.08.2024, përmbanë 2,047,148 votues- shtetas të Kosovës.

Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i votuesve të rinj që do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e përgjithshme më 09.02.2025 është 209,878.

Ligji për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë është miratuar në Kuvend më 08.06.2023.

Ky ligj përcakton rregullat e organizimit të sistemit zgjedhor, duke përfshirë ato për përgatitjen, zhvillimin, administrimin, mbikëqyrjen dhe shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës.