Salla e dasmave, ilustrim

Në Xërxë të Rahovecit gjobitet pronari i sallës së dasmave, lejoi grumbullimin e shumë njerëzve

Mbrëmë ka ndodhur një grumbullim i personave në një aheng familjar në një restaurant në rajonin e Gjakovës.

Si shkak i pandemisë COVID-19, Qeveria e Kosovës ka ndaluar tubimin e shumtë të njerëzve si dhe ka kufizuar edhe lëvizjen e qytetarëve në disa komuna.

KALLXO.com mëson se rastauranti në të cilën ka pasur mbledhi të njerëzve është “KOSOVA 2”, në Xërxë të Rahovecit.

Duke marrë parasysh situatën e krijuar me pandeminë, Policia thotë se ahengu apo dasma është ndaluar sepse në lokal ka pasur më shumë njerëz se që ishte e lejueshme.

Sipas Policisë, pronari i lokalit është shoqëruar në stacionin policor dhe pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Drejtori Lumni Graishta, tregoi se bashkë me Policinë në vend të ngjarjes kanë dalë menjëherë inspektorët sanitar dhe të tregut.

“Dasma është ndërprerë, inspektorët komunal bashkë me policinë i kanë shqiptuar gjobë pronarit të lokalit”, tha Graishta për KALLXO.com

Ndërsa prokurori kujdestar, Nazmi Krasniqi tregoi se personat përgjegjës kanë reaguar menjëherë duke shpërndarë njerëzit.

“Policia dhe inspektorët sanitar kanë kryer punën e tyre, janë shpërndarë njerëzit dhe rasti është cilësuar si procedim penal për ”Mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë”, dhe “gjobë për kundërvajtje nga ana e inspektorëve”, tha Krasniqi për KALLXO.com

Ai tha se pas intervistimit, pronari i lokalit është liruar në procedurë të rregullt dhe se lokali i tij është mbyllur nga ana e inspektorëve.

Kallxo.com ka provar të marrë një deklaratë nga pronari i biznesit në fjalë, por i njëjti nuk ka dashur të flasë.

Në Spitalin e Gjakovës, 26 pacientë janë duke u trajtuar me COVID-19 pozitiv, prej tyre 10 janë me oksigjen ndërsa 1 pacientë është dërguar në Prishtinë.

Mirëpo, kohëve të fundit në Kosovë, situata me pandeminë COVID-19, është përkeqësuar.

Në të gjithë Kosovën kemi 4715 persona të infektuar, 2227 të shëruar dhe 101 të vdekur.