Në Winterthur të Zvicrës shënohen festat e nëntorit me dedikim për tragjedinë në Shqipëri

Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike në bashkëpunim me shoqërinë kulturore artistike “Dardania” me datën 30 nëntor në Winterthur të Zvicrës, kanë shënuar aktivitetin përfundimtar për “Ditët e Kulturës Shqiptare në Diasporë”.

Aktiviteti ishte i karakterit human për shkak të tragjedisë së 26 nëntorit që goditi Shqipërinë, njofton MID.

Në këtë manifestim kulturor morën pjesë një numër i madh i bashkatdhetarëve që veprojnë në këtë qytet dhe përfaqësues nga MKRS-ja.

Po ashtu i pranishëm ishte edhe kryetari i qytetit te Winterthurit.

Drejtoresha për arsim dhe kulturë nga MDIS znj. Maliqe Hashani iu drejtua të pranishmeve, duke i falënderuar për kontributin që ata kanë dhënë në vazhdimësi për ruajtjen e kulturës gjuhës dhe traditës shqiptare.

Ajo ka theksuar se festat e nëntorit këtë vit nuk janë pritur me festë dhe ashtu siç ishin planifikuar, por që uron që shpejt Shqipëria ti kthehet normalitetit.

Ndërsa kryetari i shoqërisë artistike “Dardania”, Shefqet Cakolli përshëndeti të pranishmit, duke shprehur falënderim të veçantë për Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike e cila si bashke organizatore e këtij projekti ka mbështetur në vazhdimësi aktivitetet kulturore që ka realizuar shoqëria artistike “Dardania”.

Pikërisht për këtë “Dardania” ndau mirënjohje për MDIS-in, përfundon njoftimi.