Vjosa Osmani dhe Pete Sessions
Në Washington, presidentja Osmani takoi kongresistin Pete Sessions
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është duke qëndruar në Washington D.C., ku edhe është takuar me kongresistin republikan Pete Sessions.
Kongresistin Pete Sessions, presidentja e vlerësoi si një mik të shqiptarëve në Teksas dhe jo vetëm.
“Pas takimit të para disa muajve më parë në Teksas me kongresistin republikan Pete Sessions, vijuam me një takim e diskutim shumë të mirë edhe në Washington D.C” – theksoi Osmani.
E para e shtetit të Kosovës u shpreh se kongresisti Sessions konfirmoi përkushtimin e plotë për bashkëpunim të rregullt në dobi të paqes e sigurisë së shtuar, gjithnjë duke luftuar e parandaluar përpjekjet e akterëve malinj për më shumë kaos dhe jostabilitet.
Presidentja gjatë ditës takoi edhe senatorin republikan Thom Tillis me të cilin tha se diskutuan për zhvillimet e fundit të sigurisë në Kosovë e në Ballkanin Perëndimor, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit drejt ruajtjes së paqes dhe sigurisë në rajonin tonë.
Pas këtyre takimeve ajo ka thënë se do të vazhdojë për Rhode Island, ku do të mbajë fjalimin kryesor në Simpoziumin e 11-të vjetor të ‘United States Naval War College’.