Në votimin për kryesuesen e Asamblesë Komunale nga PDK morën pjesë edhe asamblistë të LVV-së e LDK-së

Melihate Basholli Latifi është zgjedhur sot kryesuese e Kuvendit Komunal të Vushtrrisë, e cila vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Ajo u zgjodh me 18 vota pro dhe një abstenim, ndërsa në seancën për votimin e saj morën pjesë  edhe tre asamblistë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe dy asamblistë nga Lëvizja Vetëvendosje, ani pse zyrtarisht nuk kanë koalicion me PDK-në.

Alban Bajrami, Behar Duraku dhe Agron Perçuku nga LDK dhe Ali Jonuzi bashkë me Nurtene Gjyshincën nga LVV, ishin të pranishëm në sallën e Kuvendit Komunal.

Basholli Latifi u zgjodh kryesuese e Kuvendit Komunal të Vushtrrisë në rundin e dytë të votimit.

Melihate Basholli Latifi ishte zgjedhur asambliste në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

PDK në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë ka 11 ulëse ndërsa në zgjedhjet e 14 nëntorit ajo garoi e mbështetur nga AAK, KDTP dhe PD.

Sot edhe zyrtarisht Ferit Idrizi ka marrë detyrën e kryetarit të Vushtrrisë, të cilën ia ka dorëzuar kryetari i deritanishëm, Xhafer Tahiri.

Gjatë ditës në një seancë solemne inauguruese janë betuar edhe 34 asamblistët e rinj të Kuvendit Komunal të Vushtrrisë.

Ferit Idrizi merr detyrën e kryetarit të Vushtrrisë