Në Vjenë rinisin bisedimet për ringjallje të marrëveshjes bërthamore

Më 27 dhjetor pritet të rinisin bisedimet për të ringjallur marrëveshjen bërthamore që Irani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015.

Negociatori i Bashkimit Evropian, Enrique Mora, ka bërë të ditur rinisjen e bisedimeve përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.

“Bisedimet në Vjenë do të rinisin të hënën. Komisioni për marrëveshjen do të diskutojë dhe të përcaktojë rrugën tutje”, ka thënë Mora, i cili udhëheq këto bisedime.

Bisedimet janë përcjellë me përparim të vogël prej kur kanë nisur në muajin nëntor, pas pesë muajve bllokadë.

Në atë periudhë Irani ka zgjedhur presidentin e ri, Ebrahim Raisi.

Diplomatët nga palët që janë ende pjesë e marrëveshjes, Kina, Britania, Franca, Gjermania dhe Rusia – janë duke marrë pjesë në bisedime të drejtpërdrejta me Iranin.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë pjesë e këtyre bisedimeve në mënyrë indirekte, pasi janë larguar nga marrëveshja më 2018.

Në një deklaratë të BE-së është thënë se pjesëmarrësit do të “vazhdojnë diskutimet për kthimin e mundshëm të SHBA-së në marrëveshje dhe sigurimin e zbatimit të plotë të dokumentit”.

Ministri i Jashtëm iranian, Hossein Amirabdollahian, ka thënë se negociatorët evropianë nuk kanë prezantuar “iniciativa të reja praktike” dhe nuk kanë qenë konstruktivë në rundin e fundit.

Marrëveshja bërthamore parasheh heqjen e sanksioneve ndaj Iranit, në këmbim të kufizimit të aktivitetit bërthamor.

Mirëpo kur Shtetet e Bashkuara janë larguar më 2018 nga marrëveshja, ato kanë rikthyer sanksionet ndaj Teheranit.

Irani, që pretendon se program bërthamor i tij ka vetëm qëllime civile, gradualisht u ka ikur pikave të marrëveshjes dhe ka pasuruar uranium përtej niveleve të lejuara./REL