Në vitin e pandemisë, mërgata i dha ‘frymë’ ekonomisë me mbi 980 milionë euro remitanca

Përkundër se ishin të rrethuar nga kriza e shkaktuar nga pandemia e virusit COVID-19, mbështetja e mërgatës nuk mungoi. Në vitin 2020, apo thënë ndryshe në vitin pandemisë, regjistrohen remitanca nga diaspora hiç më pak se 980.1 milionë euro, e që është më e lartë se një vit më parë, kur ishin dërguar 851.7 milionë euro. Pjesa më e madhe e tyre erdhën nga Gjermania e Zvicra por edhe përtej oqeanit. Këto mjete erdhën kryesisht përmes agjencive për transfere të mjeteve financiare dhe bankave, të cilëve iu shtua puna. Në anën tjetër kufizimi i lëvizjes pothuajse përgjysmoi dërgimin e remitancave përmes rrugës jo formale.

Në vitin e kaluar, remitancat e pranuar në Kosovës që paraqesin edhe kategorinë më të madhe të të ardhurave dytësore në Kosovën, regjistruan vlerën e 980.1 milionë euro, që paraqet një rritje prej 15.1 për qind krahasuar me një vit më parë.

Sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), në përjashtim të muajve mars dhe prill ku pati rënie, gjatë gjithë periudhës të ardhurat nga jashtë shtetit, shprehur në miliona, ishin dyshifrore.

Raporti bën të ditur se pjesa më e madhe e mjeteve erdhën përmes Agjencive për transfere me 68.6 për qind  të cilat shënuan një rritje prej 60 për qind.

Rritje pati edhe dërgimi remitancave përmes bankave, ndërsa përmes rrugëve jo formale pothuajse ato u përgjysmuan.

“Remitencat përmes bankave shënuan rritje prej 14.9 pёr qind, ndёrsa si rezultat i mbylljes sё kufirit, si dhe kufizimeve tjera, remitencat pёrmes ‘kanalit joformal’ shёnuan rёnie pёr 46.0 pёr qind”, thuhet në raport.

Sipas shteteve, remitancat kryesisht vijnë nga Gjermania dhe Zvicra, vende këto nga të cilat u dërguan 42.3 për qind e parave, përkatësisht 22.3 për qind të totalit të remitancave. Gjithashtu mjete financiare u pranuan  edhe nga përtej oqeanit, nga Shtete e Bashkuara të Amerikës me 6.4 për qind e remitancave të përgjithshme.

Burimi: Banka Qendrore e Kosovës (BQK)
Burimi: Banka Qendrore e Kosovës (BQK)

Këto të dhëna, Banka Qëndrore i bëri të ditura përmes publikimit të raportit vjetor për vitin 2020.