Kuvendi i Kosovës/ Foto: KALLXO.com

Në vitin 2023, Kuvendi shqyrton dhe miraton raporte vjetore të 2021-tës

Kuvendi i Kosovës sot ka filluar punimet e sesionit pranveror me pika të papërfunduara nga sesioni vjeshtor. Pikat e patrajtuara kanë ardhur si pasojë e mungesës së kuorumit për t’i miratuar sipas afateve të parapara.

Opozita vazhdimisht ka kritikuar shumicën parlamentare, Lëvizjen Vetëvendosje, për mosefikasitet dhe mosfunskionim të duhur.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se sesioni pranveror po fillon me pika të mbetura nga fillimi i sesionit vjeshtor dhe ka kritikuar pozitën për “mosfunksionim të duhur”.

“Sa i përket efikasitetit të Kuvendit, të kësaj mazhorance flet edhe vetë rendi i ditës ku sot po e fillojmë sesionin pranveror me pika nga 15 shtatori 2022 kur ka qenë e para e sesionit vjeshtor. Kemi dhjetëra pika të papërfunduara në kuadër të kësaj agjende legjislative si një pasojë e mosfunksionimit të duhur të kësaj mazhorance nën drejtimin e LVV-së”- deklaroi Tahiri.

Në kundërpërgjigje të deputetit Tahiri, kryetarja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari Lila, ka arsyetuar pikat e patrajtuara në rendin e ditës së sotme.

“Arsyeja pse jemi sot me vazhdimin e pikave të patrajtuara është mungesë e efikasitetit tonë të përbashkët si legjislaturë në miratimin e projektligjeve”- u shpreh Kusari Lila.

Në seancën e parë për këtë sesion, ligjvënësit shqyrtuan dhe miratuan raporte të cilat datojnë që nga viti 2020.

Deputetët miratuan raportin vjetor të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2021. Raportin para deputetëve e ka paraqitur Avokati i Popullit, Naim Qelaj, i cili bëri të ditur se në vitin 2021 i kanë shtuar aktivitetet për përmirësimin e të drejtave të njeriut.

Qelaj njoftoi se gjatë vitit 2021 kanë pranuar 1,612 ankesa nga qytetarët, dhe ka hasur 45 raste për hetim sipas detyrës zyrtare. Ai shtoi se ende mbetet shqetësues fenomeni i korrupsionit dhe incidenteve fizike në burgjet e Kosovës.

Mungesa e kuorumit doli në pah kur deputetët nuk arritën të miratojnë raportin vjetor të Komisionit të Pavarur të Mediave për vitin 2021, edhe pas tri tentativave të nënkryetares Saranda Bogujevci.

Kështu Bogujevci mori vendim që të shkohet në pauzë deri në orën 15:30.

Kuorum nuk pati as për miratimin e raportit vjetor të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2021. Partitë opozitare PDK dhe LDK nuk e përkrahën këtë raport.

Këto dy pika më pas, sipas rregullores së re të Kuvendit, u bartën për një seancë tjetër.

Ndërkaq shqyrtimi i Raportit të Performancës së Ndërmarrjeve Publike Qendrore për vitin 2020 nuk u trajtua fare.

“Mesa duket që prej Qeverisë nuk e paskemi askënd, konsideroj që kjo pikë nuk mund të trajtohet”- ka konstatuar kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Mungesa e deputetëve ka bërë të dështojë edhe Raporti i Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Universitetit të Prishtinës për vitin 2021, pikë kjo që gjithashtu u bart për një seancë tjetër.

Votimi i propozim-rezolutës për gjendjen në sektorin e shëndetësisë nga PDK-ja, nuk e ka gjetur mbështetjen e shumicës parlamentare. Pro kësaj rezolute votuan 12 deputetë, kundër 46 ndërsa abstenuan katër deputetë.

Rezoluta e propozuar nga PDK-ja ishte iniciuar në nëntor të vitit 2022 dhe përmbante katër pika.

Raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2021 e kanë votuar 62 deputetë të Kuvendit.

Deputeti nga PDK-ja, Bekim Haxhiu ka thënë se gjetjet e Auditorit për Ministrinë e Shëndetësisë nuk janë teknike por vepra penale dhe më pas ka ftuar organet e drejtësisë ta marrin me seriozitet këtë raport.

Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, u shpreh se për të gjitha rekomandimet e Auditorit do të ndërmerren hapat e nevojshëm për të adresuar dhe zbatuar të tërat.

Seanca e sotme e Kuvendit u përmbyll me mungesë të kuorumit për të votuar për raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës për vitin 2021.