Në vitin 2023 Komuna e Vitisë angazhoi 33 punonjës me kontrata për shërbime të veçanta pa procedura të prokurimit apo të rekrutimit
Që nga viti 2020, angazhimi i ekspertëve, konsulentëve apo këshilltarëve bëhet përmes Ligjit të Prokurimit, me marrëveshje për shërbime të veçanta, që mund të jenë me kohëzgjatje deri në 36 muaj. Por, edhe përkundër kësaj, Komuna e Vitisë gjatë vitit 2023 ka angazhuar 33 punonjës me kontrata për shërbime të veçanta pa zhvilluar asnjë lloj procedure, qoftë përmes prokurimit, apo procesit të rregullt të rekrutimit.
“Shumica nga këta zyrtarë punojnë në pozita të rregullta të punës si: në Zyrën e Kryetarit, Drejtorinë për Financa, Administratë, Prokurim, Gjeodezi dhe Kadastër, Arsim, Shëndetësi, Bujqësi etj. Të njëjtit janë paguar nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve (përfshirë edhe kontributet pensionale dhe tatimin në pagë)”- thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Komunën e Vitisë për vitin 2023.
Sipas ZKA-së, në vitin 2022, numri i personave të angazhuar me kontrata për shërbime të veçanta ishte më shumë se dyfishi i atyre në vitin 2023. Komuna e Vitisë gjatë vitit 2022 kishte të angazhuar 80 punonjës me kontrata për shërbime të veçanta.
Neni 84 i Ligjit për Zyrtarët Publikë thekson se marrëveshjet për shërbime të veçanta, lidhen sipas legjislacionit të prokurimit publik. Derisa sipas paragrafit 4 të ndryshim plotësimit të rregullave të KRPP-së për prokurim të shërbimeve të veçanta (konsulent/kontraktorët individual) këto rregulla aplikohen vetëm për prokurimin e shërbimeve të veçanta të cilat nuk mund të sigurohen përmes procedurave të rekrutimit.
Sipas ZKA-së, angazhimi i punonjësve me marrëveshje për shërbime të veçanta jo në pajtueshmëri me rregullat e përcaktuara ishte bërë si pasojë e moszbatimit të kontrolleve të brendshme, edhe pse Zyra Kombëtare e Auditimit për disa vite ka rekomanduar zbatimin e procedurave të përcaktuara për shërbime të veçanta.
Ndërsa të ndikimi, në raport thuhet se anashkalimi i procedurave të prokurimit, përveç që përbën shkelje ligjore pasi që eliminohet parimi i transparencës dhe konkurrencës, gjithashtu rrit rrezikun e angazhimit të personave joadekuatë për pozita dhe detyra të caktuara, e që mund të reflektojë edhe në performancën e tyre në punë.
ZKA ka rekomanduar që i pari i Vitisë duhet të sigurojë se do të ndiqen procedura adekuate ligjore me rastin e angazhimit të stafit, në mënyrë që personat e angazhuar do të plotësojnë të gjithat kriteret për pozitat përkatëse, qoftë përmes Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta, apo në rast të pozitave të rregullta fillimisht të bëhet planifikimi sipas Ligjit të buxhetit, e pastaj të zhvillohet proces i rregullt i rekrutimit.
Me këtë gjetje është pajtuar edhe Komuna e Vitisë.
Deri në vitin 2020, punësimet e ekspertëve/këshilltarëve/konsulentëve është bërë përmes Ligjit për Shërbyesit Civilë. Që nga hyrja në fuqi e Ligjit për zyrtarët publikë, punësimi i ekspertëve/konsulentëve bëhet përmes tenderëve në kohëzgjatje deri në 36 muaj.
“Marrëveshjet për shërbime të veçanta, sipas paragrafit 4 të nenit 12 të Ligjit të Shërbimit Civil nr. 03/L-149 të Republikës së Kosovës, të lidhura para hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë të vlefshme deri në afatin e përcaktuar në ato marrëveshje në pajtim me dispozitat e lartcekura. Pas kësaj periudhe, marrëveshjet për shërbimet e veçanta lidhen sipas legjislacionit përkatës të prokurimit publik”, thuhet në nenin 84 të Ligjit për Zyrtarë Publik që flet për ‘marrëveshjet për shërbime të veçanta” – thuhet në këtë ligj.
Pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik ka hartuar rregullat për prokurim të shërbimeve të veçanta të cilat kanë hyrë në fuqi më 22.09.2020.
Rregullat e hartuara nga KRPP aplikohen vetëm për prokurimin e Shërbimeve të veçanta të cilat nuk mund të sigurohen përmes procedurave të rekrutimit sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë. Shërbimet e veçanta të cilat nuk mund të sigurohen përmes procedurave të rekrutimit janë shërbime profesionale për të cilat Autoriteti Kontraktues ka nevojë por që nuk i plotëson kërkesat me stafin që e ka. Edhe pse rregullorja ka hyrë në fuqi në shtator, asaj nuk kanë mundur t’i referohen institucionet për punësim të stafit me marrëveshje për shërbime të veçanta deri më 18.11.2020, për shkak të problematikave që kanë dalë me paragrafin 3 të nenit 3 të rregullores.
Më 27.05.2024, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik ka dalë me njoftim. Duke u thirrur në nenet 57.2 dhe 57.3 të Rregullores për Prokurim Publik, kanë kërkuar që të gjithë Zyrtarët Përgjegjës të Prokurimit të Aurotiteteve Kontraktuese në Kosovë, t’i kryejnë aktivitetet e prokurimit për shërbime të veçanta (konsulentë/kontaktorë individual) vetëm në pajtim me këto dy nene.
Sipas nenit 57.2 të Rregullores për Prokurim Publik, “paragrafët e këtij neni aplikohen vetëm për prokurimin e shërbimeve të veçanta, të cilat nuk mund të sigurohen përmes procedurave të rekrutimit sipas Ligjit për zyrtarët Publikë”.
Ndërsa sipas nenit 57.3 të Rregullores për Prokurim Publik, “shërbimet e veçanta të cilat nuk mund të sigurohen përmes procedurave të rekrutimit janë shërbime profesionale të kategorive dhe profesionave të veçanta, për të cilat Autoriteti Kontraktues ka nevojë, por të cilat shërbime nuk mund t’i plotësojnë me stafin që ka” brenda institucionit.
Në këtë njoftim të KRPP-së për ashtu përmendet edhe neni 57.4 i Rregullore së Prokurimit Publik, në të cilën thuhet se “Konsulenti/kontraktori individual është një specialist në një fushë specifike, i angazhuar nga Autoriteti Kontraktues, në rolin e një këshilluesi”.
KRPP- ja tutje u ka tërhequr vërejtjen të gjithë Zyrtarëve Përgjegjës të Prokurimit, që të ndëmarrin veprime konkrete me qëllim që të përmbushin detyrimet ligjore gjatë realizimit të aktiviteteve të prokurimit për shërbime të veçanta.
“Në të kundërtën, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik sipas kompetencave që ka, mund të veprojë pa paralajmërim të mëtutjeshëm për të zbatuar provizionet ligjore konform nenit 25.8 të LPP-së”- thuhet ndër të tjera në njoftimin e KRPP-së.
Sipas të dhënave zyrtare nga 2 mijë deri në 4 mijë persona në vit janë punësuar me kontrata mbi vepër në kundërshtim me ligjin, pa konkurse ose për pozita të rregullta deri sa ka qenë në fuqi Ligji për Shërbyesit Civilë.
Ndërsa sipas të dhënave të prezantuara nga Zyra Kombëtare e Auditimit, në vitin 2022 përmes tenderëve ishin angazhuar 1500 persona.
Komuna e Vitisë ka pranuar Opinion të kualifikuar. Auditori jep opinion të kualifikuar kur pasqyrat financiare nuk janë hartuar në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Raporti i vitit 2023 për Komunën e Vitisë ka rezultuar me nëntë rekomandime, prej tyre një është rekomandim i ri, shtatë të përsëritura dhe një pjesërisht i përsëritur. Zbatueshmëria e këtyre rekomandimeve do të përfshihet në raportin e vitit 2024, i cili do të publikohet në qershor të vitit 2025.
Ndërsa në vitin 2022, Komuna e Vitisë kishte marrë 13 rekomandime. Deri në fund të procesit të auditimit të ZKA-së për vitin 2023, pesë rekomandime ishin zbatuar, një ishte në proces të zbatimit dhe shtatë rekomandime nuk ishin zbatuar ende.
Raportin e plotë për Komunën e Vitisë me të gjitha gjetjet dhe rekomandimet mund ta gjeni KËTU.