Ilustrim

Në vitin 2023 amerikanët i humbën 5.6 miliardë dollarë në skema kriptovalutash

Amerikanët i kanë humbur në vitin 2023 më shumë se 5.6 miliardë dollarë në skemat e mashtrimit, ku përfshiheshin kriptovalutat, thuhet në një raport të FBI-së, të publikuar të hënën (10.09.2024), duke treguar një ngritje prej 45 për qind të humbjeve krahasuar me vitin 2022, raporton agjencia AP.

FBI-ja ka raportuar për pranimin e rreth 70 mijë ankesave më 2023 prej viktimave të mashtrimit financiar, përfshirë “bitcoinin”, “etherin” dhe kriptovalutat tjera, njofton FBI-ia. Dëmin më të madh e kanë bërë skemat mashtruese të investimit në vlerë prej 3.96 miliardë dollarësh amerikanë humbje.

“Natyra e decentralizuar e kriptovalutës, shpejtësia e transaksioneve të pakthyeshme, dhe aftësia për të transferuar vlera anembanë botës e kthyen kriptovalutën në një makineri tërheqëse për kriminelët, duke krijuar njëherë sfida për rikthimin e fondeve të vjedhura”, ka deklaruar Michael Nordwall, ndihmës-drejtor i divizionit të FBI-së për zbardhjen e krimeve.

Përfituesit e paligjshëm shpesh lidhin kontakte nëpërmjet mediave sociale për të krijuar besueshmëri për javë e muaj të tërë para se të sugjerojnë investimin në kriptovaluta, thotë FBI-ja. Dhe kur të krijohet ky mirëbesim, i bindin caqet e tyre të përdorin uebfaqe ose aplikacione të rrejshme për të investuar para, nganjëherë duke i lejuar viktimat të tërheqin shuma të vogla parash në fazën fillestare për të krijuar bindjen se janë legjitimë.

Në disa raste, ato viktima shënjestrohen pastaj prej bizneseve të rrejshme me pretendimin se do t’ i ndihmojnë viktimat për kthimin e kriptovalutave të humbura, njofton FBI-ja.

Zyrtarët e FBI-së kanë thënë se amerikanët e të gjitha moshave ishin caqe të skemave të tilla, duke iu kërkuar njëherësh që të jenë shumë të kujdesshëm kur u ofrohen mundësi të ngjashme investimi prej njerëzve që kurrë nuk i kanë njohur në jetën reale.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com