Ilustrim. Foto: Atdhe Mulla

Në vitin 2021 janë paguar mbi 465 mijë euro për pensionistët e vdekur

Mbi 465 mijë euro pensione janë paguar nga Ministria e Financave për 3,314 persona, edhe pse përfituesit e këtyre pensioneve kishin vdekur.

“Nga krahasimi i të dhënave/regjistrave ndërmjet MFPT dhe Agjencisë së Regjistrimit Civil kemi gjetur se gjatë vitit 2021 janë realizuar gjithsej 3,314 pagesa, në vlerë totale 465,121 euro për pensione pas vdekjes së përfituesve”, thuhet në gjetjen e Zyrës Kombëtare të Auditimit

Raporti i auditimit për Ministrinë e Financave vë në pah se pagesat pas vdekjes së përfituesve, kanë ndodhur si rezultat i ndërprerjes së lajmërimit të pensionistëve për shkak të rrethanave të krijuara nga pandemia, që nga muaji mars 2020.

“Ku si rezultat, vdekjet e përfituesve nuk ishin regjistruar me kohë në ARC, dhe ministria nuk ishte e informuar për rastet”, thuhet në raport.

Përfitimi i pensioneve nga personat e punësuar dhe mbetja e personave të vdekur në listat e pagesave, sipas Auditorit shkakton pagesa të parregullta, duke dëmtuar kështu buxhetin e ministrisë.

Rekomandimi i Zyrës Kombëtare të Auditimit ishte që të analizohet në thellësi kjo çështje dhe të shqyrtohet mundësia e kthimit të mjeteve.

“Ministri duhet të analizojë në hollësi çështjen e pagesave më sipër dhe të shqyrtojë mundësitë për kthimin e tyre nga shfrytëzuesit në llogarinë e buxhetit. Gjithashtu duhet të sigurojë forcimin e kontrolleve të brendshme përmes komunikimit në kohë reale në mes të regjistrave me regjistrin civil, të bëj krahasime sistematike të listave të përfituesve me informatat e marra nga ATK dhe regjistrit civil, si dhe të krijojë një komunikim më efektiv ndërmjet databazave të skemave pensionale”, rekomandon Auditori.

Nga menaxhmenti i Ministrisë së Financave janë pajtuar me gjetjen e raportit.

Për më tepër, nëpërmjet letrës së konfirmimit, të datës 26 maj 2022, nga ministri Hekuran Murati  konfirmohet se e ka pranuar raportin dhe është pajtuar me gjetjet e raportit, pa ndonjë koment për përmbajtjen e raportit të auditimit për “Pasqyrat Vjetore Financiare të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për vitin 2021”.

Burimi: Zyra Kombetare e Auditimit (ZKA)
Burimi: Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA)