Në veri, qindra punëtorë vazhdojnë të paguhen pa punuar

Që nga fundi i vitit 2016 e deri më sot, mbi 300 punëtorë serbë nga veriu i Kosovës vazhdojnë të marrin paga nga buxheti i Kosovës, por nuk janë të pranishëm në vendin e tyre të punës, në baza ditore. Ata ishin integruar në institucionet e Kosovës pas shpërbërjes së strukturave paralele serbë në katër komuna të veriut të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

 

Kështu deklaron ish-ministrja për Dialog e Kosovës, Edita Tahiri.

Zyrtarët komunalë të komunave Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, thonë se për shkak të pandemisë, punëtorët që janë të punësuar në komunë, tash për tash, kryesisht punojnë nga shtëpitë. Por, ata nuk e kanë bërë krejtësisht të qartë nëse të punësuarit, për të cilët është interesuar Radio Evropa e Lirë, kanë qenë të pranishëm në vendet e tyre të punës para pandemisë.

Problematikën e këtyre të punësuarve, Qeveria e Kosovës e cilëson si “çështje të trashëguar”.

Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, e marsit të vitit 2015, për shpërbërjen e strukturave paralele serbe në komunat e veriut të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, si dhe integrimi i pjesëtarëve të komunitetit serb në institucionet e Kosovës, kishte nisur fillimisht me sukses. Strukturat paralele serbe ishin shpërbërë në fushën e policisë, doganave, gjykatave dhe ishin integruar në po të njëjtat fusha në sistemin e Kosovës.

Por, shpërbërja e “Mbrojtjes Civile”, e cila kishte mbi 700 anëtarë, ishte më problematike. Megjithatë, rreth 500 prej tyre, gradualisht ishin punësuar në 23 institucione të Kosovës, të cilat përfshinin dikasteret qeveritare, por edhe agjencitë e shtetit të Kosovës që kanë veprimtari lokale.

 

Tahiri: Nuk ka pasur angazhime për rihapjen e zyrave të qeverisë në veri

Ish-ministrja për Dialog e Kosovës, Edita Tahiri, thotë se Qeveria e Kosovës, në vitin 2016 kishte krijuar kushtet për punë për të gjitha këto dikastere dhe agjenci, duke i hapur zyrat në një objekt të përbashkët në Mitrovicën e Veriut, të cilat do të ishin vend pune për rreth 300 punëtorë. Më 28 dhjetor të vitit 2016, zyrat ishte përuruar nga vet Tahiri, por në mbrëmjen e së njëjtës datë, në objektin ky gjendeshin zyrat, ishin hedhur mjete shpërthyese, të cilat dëmtuan objektin.

“Prej atëherë, nuk ka pasur angazhime që të rihapen zyrat. Ndërkohë që këta punonjës për të cilët po flas, praktikisht marrin prej buxhetit të Kosovës, prej dhjetorit të vitit 2016 e deri sot dhe nuk ka pasur asnjë qeveri që ka ardhur pas qeverisë së fundit ku kam qenë unë (2017), që të riaktivizojë apo t’i hapë zyrat. Kjo do të duhej të bëhej, me një angazhim dhe me një kërkesë që Bashkimi Evropian të ndërhyjë për ta bllokuar Serbinë dhe që të mos lejojë shkeljen e marrëveshjeve. Do të duhej njerëzit të punonin. Përderisa paguhen ata duhet të punojnë”, tha Tahiri.

Zyrtarët e komunave në Mitrovicë të Veriut dhe në Zveçan, thonë se tashmë është kohë pandemie dhe prania e punëtorëve në vendet e punës në kuadër të këtyre komunave e kufizuar.

Adrijana Hoxhiq, zëvendëskryetare e Komunës së Mitrovicës së Veriut, thotë për Radion Evropa e Lirë se të gjithë të punësuarit, në të gjithë sektorët në kuadër të Komunës së Mitrovicës së Veriut, aktualisht janë të angazhuar në përputhje me masat kundër pandemisë së COVID-19.

“Varësisht nga sektori ku janë të angazhuar, ne jemi përpjekur që të puna të organizohet në atë mënyrë që secili të ketë rastin që të japë kontributin e vet në mënyrën sa më të mirë të mundur”, theksoi Hoxhiq.

Ngjashëm thotë për Radion Evropa e Lirë edhe shefi i shërbimit për kuadro në Komunën e Zveçanit, Stevan Gjokiq. Por, megjithatë, sipas tij edhe në rrethana normale, kjo komunë ka pak hapësira për të punësuarit.

“Komuna e Zveçanit është komunë e vogël dhe ka mungesë të hapësirës ku të gjithë do të mund të jenë të pranishëm fizikisht. Por, për shkak të pandemisë, e cila e ka goditur edhe rajonin tonë që nga marsi i vitit të kaluar, të gjithë punëtorët kryesisht janë të angazhuar që obligimet e tyre t’i përmbushin online nga shtëpia”, tha Gjokiq.

 

“Çështja e trashëguar” kërkon angazhim të Brukselit?

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Qeverisë së Kosovës lidhur me çështjen e të punësuarve serbë në institucionet e Kosovës, të cilët para vitit 2015 ishin pjesë e “Mbrojtjes Civile” dhe më pas janë integruar në sistemin e Kosovës, si dhe për atë se është duke e shqyrtuar mundësinë e rihapjes së zyrave të saj në veriu e Kosovës.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryziu, në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, ka thënë theksuar se për qeverinë aktuale “kjo çështje është e trashëguar”.

“Qeveria është në javën e katërt të detyrës së saj. Jemi në fazën e identifikimit të çështjeve të ngjashme, ashtu që të kemi një pasqyrë të qartë të gjërave që kanë nevojë për zgjidhje dhe adresim”, ka thënë Kryeziu.

Ish-ministrja për Dialog e Kosovës, Edita Tahiri, sugjeron që lidhur me këtë çështje, Qeveria e Kosovës duhet t’i drejtohet Bashkimit Evropian.

Ajo thotë se pas sulmit në objektin ku ishin zyrat e dikastereve qeveritare dhe agjencive të ndryshme të Kosovës, në Mitrovicën e Veriut, në fundin e dhjetorit të vitit 2016, i ishte drejtuar edhe Bashkimit Evropian. Megjithatë, sipas saj, sulmi kishte ndodhur në kohën kur, siç thotë ajo, “Serbia kishte nisur lojërat e ndryshimit të kufijve”, ndërkohë që qeveria e Isa Mustafës, pjesë e së cilës ishte ajo, kishte rënë në vitin 2017 dhe nuk kishte arritur ta adresonte më tej këtë çështje.

“Kur ka ndodhur ajo, unë i kam shkruar Brukselit për ngjarjen dhe kam kërkuar që Brukseli të angazhohet- pra, Bashkimi Evropian bashkë me ne- që të rifillojë puna. Mirëpo, në atë kohë kur unë ju kam shkruar, Brukseli – kur them Brukseli, e kam fjalën për atë të (ish-shefes së politikës së jashtme të BE-së, Federeca) Mogherinit – tashmë kishte dalë nga binarët e dialogut për normalizim marrëdhëniesh. Ishte filluar t’i jepej hapësirë lojës së kufijve. Kjo lojë e kufijve i zhvendosi prioritetet që kishte obligimi i dialogut të Brukselit”, theksoi Tahiri.

Të dhënat e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, thonë se ‘Mbrojtja Civile’ ishte themeluar më 2006, në kohën kur në Serbi, kryeministër ishte Vojisllav Koshtunica. Deri në vitin 2014, kjo strukturë paralele dhe jolegale, kishte arritur që t’i ketë brenda vetes 751 persona, të cilët paguheshin nga Qeveria e Serbisë. Pjesëtarët e saj kishin të kaluar ose ishin trajnuar me metoda ushtarake.

Për shpërbërjen e kësaj strukture paralele dhe për integrimin e pjesëtarëve të saj në institucionet e Kosovës, bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel kishin zgjatur dy vjet. Ata ishin sistemuar në 12 ministri dhe 11 agjenci dhe institucione tjera shtetërore./REL