Në tubimin e AAK-së në Prizren, nuk respektohen masat kundër COVID-19

Fushatat elektorale të subjekteve politike të cilat janë duke u zhvilluar në gjitha anët e Kosovës, për shkak të zgjedhjeve të cilat do të mbahen në fund të javës tjetër, kanë vënë në pah mos respektimin e masave kundër COVID-19.

Në tubimin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Komunën e Prizrenit, në disa fotografi të publikuara nga Daut Haradinaj, shihet se qytetarët e mbledhur disa janë pa maska ndërsa nuk kanë respektuar as distancën sociale.

Në anën tjetër këtë gjë nuk e ka vënë në pah Daut Haradinaj i cili ka postuar fotografitë por është shprehur se kanë pasur një pritje madhështore në Prizren.

Tubimi elektoral në Prizren i AAK-së, Foto: Facebook

“Edhe Prizreni po i bashkohet fuqishëm Forcës së Kosovës! Një pritje madhështore në kryeqendrën shqiptare nga të rinjtë e kësaj ane. Kjo rini e mrekullueshme që po e përqafon AAK-në, është dëshmi e një suksesi të pakontestuar. Jam krenar me ju rinia jonë e Prizrenit! Kthesat e mëdha nga Prizreni kanë filluar!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.