Ilustrim

Në tualetin e një aeroplani gjendet një foshnje e porsalindur

Stafi i aeroportit në Mauritius, në Afrikën Lindore, ka gjetur një djalë të porsalindur të braktisur në koshin e plehrave të tualetit të një aeroplani.

Një 20-vjeçare nga Madagaskari, e dyshuar se ka lindur në fluturim, është arrestuar, raporton BBC.

Aeroplani i “Air Mauritius”, i cili mbërriti nga Madagaskari, u ul në Aeroportin Ndërkombëtar “Sir Seewoosagur Ramgoolam” më 1 janar.

Oficerët e aeroportit e bënë zbulimin kur kontrolluan aeroplanin për një kontroll rutinë doganor.

Ata e dërguan foshnjën në një spital publik për trajtim.

Gruaja e dyshuar si nëna e fëmijës, e cila fillimisht mohoi se djali ishte i saj, iu nënshtrua një ekzaminimi mjekësor që konfirmoi se ajo sapo kishte lindur.

Ajo u vendos nën vëzhgimin e policisë në spital.

Si ajo ashtu edhe foshnja thuhet se janë mirë.

Gruaja malagaziane, e cila mbërriti në Mauritius me një leje pune dyvjeçare, do të merret në pyetje pas lirimit nga spitali dhe do të akuzohet për braktisjen e një të porsalinduri.