Ilustrim

Në tre muajt e parë të vitit 2022, çmimet e produkteve bujqësore u rritën mbi 17%

Të dhënat e fundit të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, tregojnë se në tremujorin e parë të vitit 2022, çmimet e prodhimeve bujqësore janë rritur për 17.72% në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2021.

ASK tregon se prodhimet të cilat krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe ato blegtorale.

“Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë. Në prodhimet blegtorale çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe prodhimet blegtorale”, thuhet në raportin e publikuar nga ASK.

Sipas ASK-së, çmimet e produkteve blegtorale janë rritur për rreth 15 %, ndërsa i atyre bimore është ngritur për rreth 25%.

“Në tremujorin e parë të vitit 2022, indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për 15.33%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021. Kurse, indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rritje për 25.62%”, njofton ASK.

Tutje ASK bën të ditur se, në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve. Në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë.

Të gjitha çmimet, sipas ASK-së janë llogaritur në euro dhe njësitë matëse janë në: kg, litër dhe copë.

Këto të dhëna, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), i bëri të ditura me publikimin e raportit, “Indeksin e Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimet në Bujqësi“ për tremujorin e parë të vitit 2022.

Në këtë publikim, ASK njofton se janë grumbulluar çmimet e prodhimeve vendore bujqësore në Kosovë. Grumbullimi i çmimeve është bërë në treg, ferma dhe vendet të tjera.

Këtu mund të gjeni raportin e plotë të ASK-së.