Në tre muajt e parë të sivjetmë, më pak qytetarë udhëtuan me aeroplan e edhe më pak me tren

Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se rreth 330 mijë qytetarë udhëtuan me aeroplan në tre muajt e parë të sivjetmë apo për -23 për qind më pak. Në anën tjetër në 333 kilometra binarë hekurudhor sa ka Kosova më shumë u transportuan mallra se sa udhëtarë.

Për tre muajt janar-mars rreth 16 mijë pasagjerë e shfrytëzuan trenin për të udhëtuar.

“Në tremujorin e parë (TM1) të vitit 2021, numri i pasagjerëve që kanë shfrytëzuar trenin si mjet udhëtimi ishte rreth 16 mijë, ku krahasuar me TM1 të vitit 2020, numri i pasagjerëve është zvogëluar për (-21.34%)” , thuhet në komunikatën e ASK-së.

Sipas ASK-së, transporti i mallrave me tren në tre muajt janar-mars ishte rreth 187 mijë ton, që krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar është një rritje për 85 për qind.

Ndërkaq, sa i përket numrit të fluturimeve, në tremujorin e parë  2021 ishin 1,317 fluturime, e që në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar ka një ulje për -14.14 për qind. Numri i udhëtarëve që kanë shfrytëzuar aeroplanin si mjet transporti ishte rreth 330 mijë, me një ulje për -23.44 për qind krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar.

Këto të dhëna u bënë të ditura nga Agjencia e Statistikave të Kosovës nëpërmes me publikimit të raportit “Statistikat e Transportit dhe Telekomunikimit” për tremujorin e parë (TM1 2021), me të dhëna mbi Transportin Ajror, Hekurudhor, Rrugor dhe Telekomunikimin.