Screenshot: Telegram
Në telegram nisin fushata që kërkojnë bojkotin e bizneseve me pronarë shqiptarë në veri
Në disa grupe në gjuhë serbe në rrjetin social “Telegram” janë duke qarkulluar disa video që bëjnë thirrje për t’i bojkotuar bizneset me pronarë shqiptarë që janë hapur gjatë muajve të fundit në pjesën veriore të Kosovës.
“Bojkot Missini, C’est la vie, Meridian Market, Apoteka, Hebs, Ex Fix” – është thirrja që po shpërndahet.
Një thirrje e tillë iu është drejtuar qytetarëve serbë, teksa në video-mesazh pati edhe pretendime të tjera.
Sipas këtij video-mesazhin pas “arrestimit, vrasjes dhe përzënjes” së qytetarëve, tash është koha e pasurisë serbe.
Mesazhi i plotë i shpërndarë është ky:
Vëllezër serb dhe motra serbe
Kemi lënë pas një vit e gjysmë shumë të vështirë dhe gjykuar sipas të gjithave na presin edhe disa muaj gjithashtu të vështirë.
Për këtë arsye duhet që të gjithë bashkë pa marrë parasysh dallimet që t’i bëjmë ballë “zullumit” të shqiptarëve.
Në periudhën e mëparshme janë arrestuar, vrarë dhe përzënë më të mirët në mesin tonë.
Tash ka ardhur radha e pasurisë dhe pronës tonë, punëtorive, marketeve dhe lokaleve.
Për këtë arsye duhet që të gjithë pa përjashtim të themi JO! bizneseve shqiptare në veri.
Bojkot Missini, C’est la vie, Meridian Market, Apoteka, Hebs, Ex Fix.
Në veri të vendit javëve të fundit janë hapur disa biznese me pronarë shqiptarë. Në vend të “Dolçe vita”, “C’est la vie”. Në vend të Këshillit Kombëtar Serb, pastiçeria “Missini”. Në vend të mishtores “Laziq”, supermareketi “Meridian”.
Ky ndryshim ka të bëjë me hapjen e supermarketeve, restoranteve, pastiçerive dhe kafeneve që janë në pronësi të biznesmenëve kosovarë, biznese këto që gjenden në mbarë Kosovën, në jug të Ibrit. Këto kompani kryesisht udhëhiqen nga shqiptarë të Kosovës.
Deri vonë, lokalet ku po hapen bizneset e reja, ishin përdorur nga serbët lokalë. Mirëpo, Agjencia Kosovare e Privatizimit thotë se tani këto objekte janë nën kontrollin e saj dhe janë shpallur tenderë përmes të cilëve këto objekte janë marrë me qira apo janë blerë.