Në Teatrin Kombëtar u dha premiera e shfaqjes "Kreolët e Ballkanit"
Shfaqja “Kreolët e Ballkanit” me tekst dhe regji të Enver Petrovcit është dhënë sonte premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
Kjo shfaqje është premiera e parë që jepet në TKK këtë vit.
Shfaqja, produksion i Teatrit të Babës dhe ndihmuar nga Ministria e Kulturës, trajton fatin e kreolëve, fëmijëve të lindur nga prindër të përzier në kuptimin racor apo kombëtar.
Për më shumë se një orë, publiku, përmes rrëfimit dhe lojës brilante të aktorëve, ka mësuar për fatin e kreolëve të ish- Jugosllavisë, me theks të veçantë të atyre në Kosovë.
Dikur këta shiheshin si e ardhmja e asaj federate dhe përnjëherë me fillimin e luftërave brenda ish-federatës ndërroi edhe perceptimi dhe trajtimi ndaj tyre.
Ngjarja e shfaqjes, e cila bart mesazh universal, zhvillohet diku në Kosovës, ku dy kreolë luftojnë për kauzat e tyre të përcaktuara më parë.
Teksti i kësaj shfaqje është shkruar më se tri dekada më parë, duke u paraprirë ngjarjeve që pasuan më pas.
Në shfaqje luajnë: Blin Sylejmani, Agron Shala, Vanesa Petrovci, Leonit Maloku dhe Armend Zeqiri.