Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialog, Miroslav Lajçak - Foto: Presidenca e Kosovës/ 29 qershor 2022

Në takimin me Lajçak, Osmani thekson rëndësinë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Lajçak.

Sipas një njoftimi, në këtë takim u diskutua për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut në Bruksel, perspektivën evropiane të Kosovës, liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, e po ashtu njoftohet se u theksua edhe rëndësia e marrëveshjes mbi zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë.

“Presidentja foli për angazhimin konstruktiv të Kosovës në dialogun me Serbinë, duke përçuar synimin e qartë të institucioneve tona që procesi të jetë i përqendruar në njohjen e ndërsjellë” thuhet komunikatën për media.

Sipas këtij njoftimi, Osmani ka potencuar rëndësinë për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Presidentja Osmani ritheksoi urgjencën për progres në marrëveshjen për personat e zhdukur me dhunë, e cila mbetet plagë e thellë në shoqërinë tonë. Tutje, Presidentja Osmani foli mbi nevojën për të pasur një mekanizëm të qartë zbatimi duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj marrëveshjeje” është bërë e ditur në njoftim teksa tutje është thënë se temë tjetër diskutimi mesOsmanit dhe Lajcakut ishte edhe procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Presidentja dhe Përfaqësuesi Special i BE-së folën edhe për procesin e stërvonuar të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, dhe nevojën për të ecur përpara urgjentisht, duke qenë se ky proces është i një rëndësie të madhe për kredibilitetin e BE-së në Kosovë” është thënë në komunikatë.

Të martën, në emisionin “Kallxo Përnime” është transmetuar intervista me emisarin e BE-së, Lajçak: