Foto: ZKM

Në takim me ambasadorët e vendeve të QUINT-it, Kurti thekson angazhimin e Qeverisë për zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë

Në një takim me ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe përfaqësuesin e BE-së në Kosovë, kryeministri Albin Kurti ka theksuar angazhimin e Qeverisë për zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë sipas marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015.

“U theksua angazhimi i Qeverisë në zbatimin e udhërrëfyesit, me qëllim të përfundimit të një problematike të trashëguar, tё furnizimit dhe pagesës sё energjisë nё komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Sipas kryeministrit Kurti, me këtë marrëveshje, buxhetit të Kosovës do t’i kursehen me dhjetëra milionë euro në vit, të paguara më herët për mbulimin e kostove energjetike të komunave në veri të Kosovës.

Gjatë takimit u bisedua për vazhdimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Italisë.

Gjithashtu, në takim është diskutuar për proceset dhe çështjet lidhur me dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, si dhe temat e tjera të ndërlidhura.

Në njoftim thuhet se kryeministri Kurti ritheksoi se Qeveria e Kosovës është e angazhuar për dialog parimor, nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme, që në qendër ka njohjen reciproke.

“U bisedua për marrëveshjen për targat, që ka skaduar me 21 prill të këtij viti, si dhe për propozimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për trajtimin e çështjes së targave”, theksohet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.