Brenda spitalit në Pejë | Foto: KALLXO.com

Në Spitalin e Pejës më së shumti pacientë që po trajtohen për COVID-19

102 pacientë të cilët janë të infektuar me COVID-19 janë duke u trajtuar në Spitalin Rajonal të Pejës.

Nga të dhënat e fundit të ShSKUK-së, Spitali i Pejës ka më së shumti pacientë të cilët janë duke u trajtuar me oksigjen dhe në dhomat intensive për shkak të gjendjes shëndetësore si pasojë e infektimit me coronavirus.

Zëdhënësi i Spitalit të Pejës, Naim Sahiti, për KALLXO.com tha se kanë hapësira të mjaftueshme për të pranuar edhe pacientë të tjerë nëse është nevoja.

“Tash ka hapësirë më shumë, kemi pasë deri në 220 pacientë, tash janë 102. Sa i përket hapësirës jemi më mirë sesa kemi qenë”, tha Sahiti.

Ai dha detaje edhe për gjendjen e pacientëve.

“Ka edhe pacientë me gjendje të rëndë. 7 prej tyre janë me maska gjysmë-automatike, pra marrin frymë me aparat, 15 janë në gjendje më të rëndë që kërkojnë trajtim më të veçantë sesa pacientët e tjerë”, shtoi ai.

Në lidhje me pajisjet për trajtim të pacientëve me COVId-19, Sahiti tha se gjendja është e mirë.

“Jemi të furnizuar shumë mirë, së fundmi edhe Remdesiviri ka ardhur sepse kemi pasur pak sasi por jemi furnizuar mirë tashmë”, përfundoi Sahiti.

Sipas raportit të fundit të ShSKUK-së, në klinikat COVID-19 të QKUK-së dhe spitaleve të përgjithshme, në trajtim mjekësor për COVID-19 janë 591 pacientë.

Prej tyre, 458 me oksigjeno-terapi dhe 49 në gjendje të rënduar shëndetësore në kujdes intensiv mjekësor.